Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim në IEVP “Jordan Misja” që nga 23 tetori 2024, ka depozituar sot një kallëzim penal pranë SPAK-ut ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qosen.
Ai e akuzon për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” (neni 248 i Kodit Penal) dhe çdo vepër tjetër që mund të dalë nga hetimi.
Sipas kallëzimit të detajuar, Meta pretendon se prej më shumë se 14 muajsh i janë mohuar të drejtat themelore si i paraburgosur. Konkretisht, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka ndaluar:
-Komunikimin me mediat dhe gazetarët
-Takimet me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe eurodeputetë
-Kontaktet me organet drejtuese të Partisë së Lirisë
-Ushtrimin e lirive politike dhe personale përtej kufizimeve të domosdoshme të paraburgimit
Meta thekson se këto kufizime nuk bazohen në vendime individuale të arsyetuara dhe nuk justifikohen me rrezik konkret për procesin penal.
Në kallëzim Meta referon praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me raste si Ilgar Mammadov kundër Azerbajxhanit, Selahattin Demirtaş dhe Mehmet Hasan Altan kundër Turqisë, ku thuhet se paraburgimi nuk mund të përdoret për të heshtur mendimin politik apo për të cenuar pluralizmin demokratik.
Ai kërkon nga SPAK regjistrimin e procedimit penal, hetimin e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve, verifikimin e përgjegjësisë penale dhe marrjen e menjëhershme të masave për ndalimin e shkeljeve kushtetuese ndaj të drejtave të tij./Versus.al

