
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili është në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, është marrë sot zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Nesër, më 23 korrik SPAK do t’i komunikojë akuzat zyrtare Veliajt për të cilin pretendohet se ka kryer veprat penale të korrupsionit pasiv në 9 raste të ndryshme, pastrimit të parave dhe të fshehjes së pasurisë.
E pandehur është marrë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Gjithashtu në kuadër të hetimeve për kryebashkiakun, është marrë i pandehur edhe biznesmeni Eman Abule për pastrim parash, ndaj të cilit Apeli i GJKKO ka caktuar më herët masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Pjesë e skemës së ngritur nga Veliaj për përvetësimin e fondeve publike nga bashkia e Tiranës, dyshohet të jenë edhe biznesmenë të cilët përfitonin nga tenderat e bashkisë dhe kryenin pagesa të ndryshme tek qendra “Harabeli” nën pronësinë e Ajola Xoxës. Aktualisht biznesmeni Elman Abule po hetohet nën arrest shtëpie, ndërsa 5 biznesmenët e tjerë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha po hetohen nën masën “detyrim paraqitje”.
Nuk konfirmohet ndërkohë, nëse veprimet e fundit të prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani, kanë të bëjnë me mbylljen e hetimeve apo vetëm me komunikimin e akuzave në këtë fazë. Burime jo zyrtare konfirmuan ndërkohë se dosja është drejt mbylljes dhe dërgimit të saj në Gjykatën e Posaçme me kërkesën e nisjes së gjykimit. Versus.al







