Prokurorët federalë belg kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Franc Gergely, i njohur ndryshe dhe si Franc Çopja i cili u shpall fajtor të premten nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel, për urdhërimin e vrasjes së Ardit Spahiut dhe për drejtimin e një organizate kriminale.
Ata gjithashtu kërkuan që gjykata ta vërë Gergelyn nën juridiksionin e Tribunalit për Zbatimin e Dënimeve për një minimum prej pesë vjetësh.
Prokurorët argumentuan se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese që mund të njihen ligjërisht për Çopjan.
Gjatë fazës përfundimtare të gjyqit që zgjati gjashtë javë në ndërtesën Justitia, ai u përshkrua si “truri operativ” pas ndërmarrjes kriminale që çoi në vrasjen më 27 nëntor 2020 në Molenbeek.
Prokurorja Nathalie Franco përshkroi Çopjan si një individ me “inteligjencë strategjike, natyrë manipuluese dhe të rrezikshme, mungesë totale të empatisë, kërcënim ekstrem dhe mentalitet kriminal dhe pushtues”, duke dhënë një portret të ashpër të tij.
Sipas prokurores Gergely është i kërkuar edhe në Shqipëri për disa vepra penale të rënda, megjithëse nuk ka rekorde penale më parë në Belgjikë.
33-vjeçari ndodhet në burg paraprak në Belgjikë që nga 29 dhjetori 2023, pas ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Para pezullimit të seancës, vetë Gergely iu drejtua jurisë duke falënderuar anëtarët për kohën dhe vëmendjen. Ai kërkoi “mëshirë” në përcaktimin e dënimit, duke theksuar moshën e tij të re.
“Po kërkoj vetëm mëshirë”, u shpreh ai.
I lindur në Shqipëri, Gergely u largua nga vendi në moshën 16-vjeçare për të punuar në Itali, para se të zhvendosej në Dubai në 2019. Ai u përfshi në trafik droge dhe ishte i lidhur me një “luftë klanesh” mes familjeve shqiptare, shkruan media belge brusselstimes./Versus.al

