
Prej katër ditësh, një zjarr i fuqishëm në fushën e mbetjeve urbane në Elbasan vazhdon të krijojë shqetësim serioz për banorët dhe mjedisin përreth.
Dhe siç u lajmërua më herët gjatë ditës së sotme, një grup qytetarësh dhe aktivistësh protestuan para Prokurorisë së Elbasanit, duke kërkuar veprim të menjëhershëm dhe hetim të thelluar mbi situatën.
Protestuesit kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për menaxhimin e krizës dhe të sqarojnë publikun nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme apo për shkak të temperaturave të larta.
Ata theksojnë nevojën për transparencë dhe kërkojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Duhet të dihet e vërteta. A është ky zjarr pasojë e neglizhencës apo një akt i qëllimshëm? Prokuroria duhet të reagojë dhe të hetojë me shpejtësi. Tymi toksik po rrezikon shëndetin tonë çdo ditë, dhe është e papranueshme që ende nuk kemi një përgjigje,” u shpreh një nga qytetarët pjesëmarrës në protestë./Versus.al







