Në gjykatën e posaçme po mbahet sot seanca e radhës ndaj ish-drejtorëve të bashkisë të Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla të cilët janë të pandehur për dosjen 5D të përvetësimit të fondeve publike nga tenderat në bashki.
Në seancën e sotme janë thirrur disa dëshmitarë, mes të cilëve edhe deputeti i PD, Belind Këlliçi i cili është i pranishëm në gjyq. Po ashtu, ish-ministri Arbjan Mazniku, asokohe nënkryebashkiak, Dritan Kadiu, Gazment Haxhia etj.
Dëshmitari i parë ishte Ergys Senka, i cili ka qenë administrator tek “Senka sh.p.k”, kompani e cila ka përfituar tendera publikë nga bashkia e Tiranës. Ai tha se kishin marrë pjesë në ndërtimin e një ujësejellësi në Tiranë, ndërsa më vonë iu desh të tërhiqej për shkak të problemeve familjare.
“Në Senka shpk për momentin jam ekonomist. Kam qenë 3-4 vjet administrator. Në 2020 kam qenë admininistrator. Keni marrë pjesë në ndërtimin e një ujësjellësi në rrugën Aleksandër Moisiu. Puna ishte që ne dhe kompania tjetër kishim mbarëvajtjen e punimeve. Aty njoha Nestor Muhametllarin dhe lindi ideja për të marrë pjesë në këtë procedurë. Procedura është negociuar me mua. Nga ana tjetër e Vas konstruksion, ka qenë vetëm Nestori. Nuk mbaj mend detaje, nuk e kujtoj përqindjen e ndarjes së kësaj kontrate. Ishte periudha e kovidit, ishte kontratë me vlerë jo shumë të madhe, pata një siklet që mu krijua me fsmiljen, mamaja u sëmur, jemi biznes familjar, dhe u tërhoqa nga marrëdhënia, u thashë vazhdoni ju sa të zgjidh këto hallet, se ishte situatë vërtetë e vështirë, në këto kushte ia lashë punimet kompanisë tjetër. Unë Nestorin njoh, ndoshta kam pas komunikim me ndonjë tjetër nga zyra, kryesisht kam folur me Nestorin, s’kam pasur komunikim me zyrtar tjetër të vas konstruksion”- ka deklaruar Ergys Senka. Versus.al