AKTUALITET /

Skenari i fryrjes fiktive të tenderave! Ermal Beqiri përfitoi miliona euro nga AKSHI me kunatin si prestanome

Shkruar nga Versus
Skenari i fryrjes fiktive të tenderave! Ermal Beqiri përfitoi miliona
Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK

Skandali i zbuluar nga SPAK, doli në sipërfaqe nga komunikimet e kryqëzuara mes personave të akuzuar në të tjera hetime, në të kundërt bosi i “Advanced Business Solution”, nuk kishte ndërmend të denonconte.

Kjo, ndoshta nisur edhe nga shqetësimi se mjaft procedura të tjera janë në hetim nga SPAK. Këtu fjala është për qindra milionë euro tendera ku përfshihet edhe periudha kur në AKSHI shkëlqente ylli i “Advanced Business Solution”…

Dosja: “Në një nga pamjet filmike të administruara konstatohet biseda mes shtetasve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ku diskutohet për dy tendera për procedurë, si dhe përmendet kompania ABS. Nga kjo bisedë përftohet e dhëna se këta shtetas janë të shqetësuar për praninë e kompanisë ABS me ortak të vetëm zotin Meçe.”

‘Në dijeninë time hetimet nuk janë fokusuar vetëm te këta aktorë që janë e kanë qenë në lojë, por edhe tek tenderat si janë zhvilluar para sulmeve kibernetike,’ u shpreh Emirjon Senja, gazetar.

Hetimet e SPAK zbulojnë edhe faturime miliona euro nga kompanitë e biznesmenëve të shpallur në kërkim ndaj subjekteve të tjera. Kjo i shërbente skemës së qarkullimit dhe futjes në kanale legale të parave të dyshuara korruptive.

Dosja: “Si konkluzion rezulton se faturimet e kryera nga ‘EA Solution’ në drejtim të 3 subjekteve të tjera të përshkruara më sipër janë fiktive dhe me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal.”

Nëse në agjencinë e AKSHIT zhvillohen tendera që lidhen me teknologjinë e informacionit, në rrjetin e kompanive të hetuara dalin edhe subjekte që tregtojnë produkte ushqimore, çokollata etj. Çuditërisht, kompanitë e hetuara rezultojnë se kanë plotësuar fatura blerjeje me vlerë plot 10 milionë euro. Që një kompani e cila operon në fushën IT të shpenzojë një shumë të tillë për blerje çokollatash, kjo duket më tepër se ironike. Rogers Rryta, ish-administratori i kompanisë ‘Mega Distribution’, thotë se ka pasur marrëdhënie tregtare me kompanitë ‘Soft Solution’ dhe ‘Fastech’…

Dosja: “Deklaron se nuk tregton produkte që lidhen me fushën e teknologjisë së informacionit si hardëare apo softëare.”

Këtë dëshmi, SPAK e ka kryqëzuar me deponimin e biznesmenit tjetër Andis Papa, aksioner i subjektit ‘Fastech’. Ai këmbëngul në dëshmi se kanë blerë pajisje teknologjike tek kompania “Mega Distribution”, edhe pse kjo e fundit aktivitet kishte tregtinë e produkteve ushqimore.

Hetuesit e SPAK kanë vënë në lupë çdo procedurë prokuruese që lidhet me kohën e takimeve mes drejtueses së AKSHIT dhe biznesmenëve në fjalë, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar.

Bëhet fjalë për dhjetëra procedura të fituara nga kompania ‘Soft Solution’, e zotëruar nga Ermal Beqiri, apo kompani të tjera të lidhura. Një prej tenderave më të mëdhenj kap vlerën e 1,3 miliardë lekëve, ose rreth 13 milionë euro pa TVSH. Kjo procedurë është njëra prej rreth 20 tenderave të ankimuar nga Gerond Meçe. Prokurimi është për blerjen e pajisjeve ‘kompjutera’ zyre.

Vlerat e pajisjeve janë konsideruar të fryra nga hetimi. Pra, një formë për të përlarë miliona euro.

Dosja: “Metodologjia e përzgjedhur nga grupi i punës ka sjellë për pasojë rritjen artificiale të vlerës së produkteve që kërkohet të prokurohen, pasi fondi limit është përcaktuar mbi vlera jo reale të dhëna nga operatorët ekonomikë me qëllim maksimizimin e përfitimit, çka në të njëjtën kohë mund të sjellë dhe dëmtimin e buxhetit të shtetit dhe kryerjen e shpenzimeve pa eficencë.”

Përpos paracaktimit të tenderave, vlerat e fryra të projekteve janë një prej drejtimit të hetimeve. Këto dyshime janë ngritur vazhdimisht edhe nga ekspertët e fushës ndër vite…

‘Për mënyrën si kanë vepruar kompanitë që kanë përfituar nga tenderat e AKSHI, kanë qenë shumë amatore se si kanë vepruar. Mendoj se kanë pasur guxim të tepruar, sepse nuk do të goditeshin, sepse, sic e thashë, ngriheshin kompani nga hici, me të njëjtin punonjës me të cilët kalonin fonde për shërbime të supozuara. E di që ka kompani që kanë faturuar 10 mln euro çokollata; aq do të duhej të hanin gjithë shqiptarët çokollata…’ u shpreh Emirjon Senja, gazetar.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se biznesmeni Ermal Beqiri ka arritur të fitojë tendera edhe përmes kompanive të lidhura me familjarë të tij. Konkretisht, procedura për ‘implementimin e infrastrukturës së desktopëve virtual për Autoritetin e Aviacionit Civil’, u fitua nga subjekti “Communication Progress” për vlerën e rreth 1 milion eurove pa TVSH. Kompania në fjalë është në pronësi të bashkëjetuesit të motrës së Beqirit, shtetasit Gentian Likaj.

Dosja: “Edhe në këtë procedurë vihet re futja e kriterit të pajisjes së punonjësve me “Certifikate Sigurie”, CSP, e cila është e pavend, pasi të dhënat e prodhuara dhe komunikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil nuk janë të klasifikuara.”

Në periudhën mes viteve 2019-janar 2026, kompania Soft & Solution, e zotëruar nga biznesmeni Ermal Beqiri, ka arkëtuar plot 2,1 miliardë lekë nga thesari i shtetit, ose rreth 22 milionë euro. Shumica e këtyre parave kanë ardhur nga fondet e tenderave të AKSHIT.

Nëse analizon periudhën e viteve 2023-2024, vihet re rritja e ndjeshme e xhiros së deklaruar, përkatësisht 12 dhe 18 milionë euro. Fitimi deklarohet rreth 16 milionë euro në dy vite të marra së bashku.

Por këto fitime janë vetëm pjesa e dukshme. Siç zbulohet në dosjen e SPAK, biznesmeni ka fituar miliona euro përmes disa kompanive të tjera në rrjetin e tij. Në periudhën 2019-2026, kompania e kunatit të tij “Communication Progress”, që përmendet edhe në dosjen hetimore, ka arkëtuar afërsisht 2 miliardë lekë ose rreth 21 milionë euro. Nëse analizojmë të plotë listën e gjatë të kompanive në pronësi dhe atyre të lidhura, përfitimet shkojnë në disa dhjetëra milionë euro…

‘Vetëm një kompani nga këto, gjatë 5 viteve të fundit, e lidhur me këtë personazh që ka qenë, është aktori kryesor i dosjes, ka marrë 50 mln euro pagesa nga thesari, ku pjesa dërrmuese janë për shkak të tenderave të AKSHI. Vetëm 1 kompani, por janë disa të lidhura,’ u shpreh Emirjon Senja, gazetar. TCH

Poll