
Një tjetër skandal ushqimor ka tronditur opinionin publik shqiptar, ku në qendër të vëmendjes është vendosur një emër tashmë i njohur për autoritetet, Skifter Tagani, i lidhur me një rrjet informal shpërndarjeje të produkteve ushqimore të skaduara, të ricikluara dhe të rimbuluara me etiketa të reja për t’u futur sërish në treg.
Sipas të dhënave të para të hetimit, bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar që ka funksionuar për një kohë të gjatë, duke importuar ose grumbulluar produkte të konsumit të gjerë (mish, bulmet, ëmbëlsira, produkte pastiçerie dhe pije) të cilave u ka kaluar afati i përdorimit dhe që, në vend që të asgjësoheshin, rifillonin “jetën” e tyre me etiketa të falsifikuara, të vendosura me makineri primitive në ambiente magazinimi pa standarde.
Skifter Tagani, dyshohet se është personi kyç që ka lidhur prodhuesit apo importuesit e papërgjegjshëm me rrjetin e shpërndarjes së këtyre produkteve në tregje lokale, dyqane ushqimore dhe madje edhe në restorante të njohura.
Skifter Tagani rezulton se është pronari i magazinës ku u gjetën 716 koli me ushqime të skaduara. Nga të dhënat e marra në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se “Master AL”, zotërohet nga Tagani që furnizon një pjesë të mirë të dyqaneve me ushqime të përpunuara si biskota, molto, fruta të thata, etj.
Burime pranë hetuesisë pohojnë se produktet e ricikluara janë gjetur në disa pika tregtimi në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi dhe Elbasani, ndërsa ekziston dyshimi se ato janë shpërndarë edhe në resortet turistike gjatë sezonit veror.
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore në vend. Operacioni i koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7, çoi në zbulimin e një magazinë në Vorë, ku falsifikoheshin etiketa skadence të produkteve ushqimore, të cilat më pas hidhnin në treg, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.
Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 716 koli me mallra ushqimore të përpunuara, të cilat kishin skaduar në janar dhe shkurt të vitit 2025, por që mbanin etiketa të falsifikuara me data të reja skadence, me qëllim rihedhjen në treg pa dokumentacion tatimor dhe në shkelje të plotë të standardeve të sigurisë ushqimore.
Skandali ka ndezur alarm për sigurinë ushqimore në vend, si dhe për mënyrën se si produktet e skaduara, të cilat duhet të asgjësohen sipas ligjit, përfundojnë në tryezat e qytetarëve përmes manipulimeve kriminale dhe mungesës së kontrolleve efektive nga institucionet përkatëse.
Aktualisht, pritet një hetim i thelluar për të zbuluar nëse ky është një rast i izoluar apo një strukturë kriminale më e gjerë, që operon me lehtësi për shkak të bashkëpunimeve me zyrtarë të korruptuar.
Nën hetim
U arrestuan në flagrancë: Florenc Domi, 38 vjeç, administrator i subjektit tregtar,
Agim Domi, 58 vjeç, magazinier.
U proceduan penalisht: Skifter Tagani, 56 vjeç, ortaku i subjektit, A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.
Hetimet kanë zbuluar se subjekti në fjalë me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte mallra të skaduara nga tregje në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, të cilave më pas u falsifikonte afatin e skadencës për t’i rihedhur në treg si produkte “të reja”.
Ndaj të dyshuarve janë ngritur akuzat për disa vepra penale të rënda, përfshirë:
“Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”,
“Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”,
“Fshehja e të ardhurave”,
“Mospagimi i taksave dhe tatimeve”,
“Punësim i paligjshëm”,
“Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.







