AKTUALITET /

SPAK godet grupin kriminal që sillte paratë e pista nga Zvicra! ‘Koka’ i priste në Tiranë me sistemin ‘Hawala’

Tre persona janë arrestuar, dy prej tyre në Shqipëri dhe kreu i grupit kriminal E.F është kapur në Zvicër.

Shkruar nga Versus

SPAK godet grupin kriminal që sillte paratë e pista nga Zvicra!

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka goditur një rast të pastrimit të parave të pista të cilat dërgoheshin nga Zvicra për në Shqipëri. Sipas njoftimit të SPAK, tre persona në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe me persona të tjerë me banim në Luzern të Zvicrës, kanë transferuar para të ardhura nga trafiku i drogës për në Shqipëri.

Drejtuesi i grupit kriminal E.F jetonte në Tiranë dhe informohej nga bashkëpunëtorët e tij në Zvicër për shumën që transferohej ndërsa i informonte se cili person do të priste paratë në Tiranë. I gjithë rrjeti i transferimit funksiononte nëpërmjet sistemit “Hawala”.

Çfarë është Hawala

Metodë joformale e transferimit të parave pa lëvizur në të vërtetë para fizike. Sistemi përshkruhet si një “transferim parash pa lëvizje parash”. Hawala përdoret sot si një kanal alternativ kryesisht i remitancave që ekzistojnë jashtë sistemeve tradicionale bankare. Transaksionet ndërmjet ndërmjetësve Hawala kryhen pa firmosur diku sepse sistemi bazohet vetëm te besimi reciprok. Mjaftojnë të jenë dy Hawala dhe dikush që do të transferojë paratë ja jep njërit shumën, ndërkohë që personi tjetër që ndodhet për shembull në Shqipëri, dorëzon të njëjtën shumë atje ku e kërkon dorëzuesi. Pra paratë nuk lëvizin, thjesht agjentët haëala marrin paratë dhe përqindjen që duan dhe vënë në punë paratë e tyre.

Që prej vitit 2020, E.F merrte konfirmimin e depozitave të kryera dhe më pas duke bashkëpunuar me B.F dhe P.K dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishte dorëzuar tek bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër tek pritësit në Tiranë. Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave të pista shumë shpejtë pa qenë e nevojshme të kryhej transportimi i menjëhershëm i parave fizike nga Zvicra në Shqipëri dhe bëhej i pamundur identifikimi dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin. Ky sistem është përdorur nga dhjetëra persona në qindra raste dhe shumat e transferuara arrijnë deri në miliona euro.

Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes kreut të grupit E.F dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.këta persona akuzohen gjithashtu se kanë trafikuar drogë në disa kantonte të Zvicrës duke përdorur persona të tjerë. Versus.al

Poll