AKTUALITET /

Triller në Vrimën e Kopilës: Zbulohen mbetje kockore gjatë eksplorimit në shpellë

Sipas njoftimit të Shoqatës Speleologjike Shqiptare, zbulimi është bërë pranë njërës prej anëve të liqenit që ndodhet në fund të shpellës. Në këtë periudhë, niveli i ujit është ulur me rreth 1.30 deri në 2 metra, çka ka bërë të mundur hyrjen në një pjesë të paeksploruar më parë.

Shkruar nga Versus

Triller në Vrimën e Kopilës: Zbulohen mbetje kockore gjatë
Një zbulim i pazakontë ka ndodhur gjatë një stërvitjeje të ekipit të Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë, në shpellën e njohur “Vrima e Kopilës”, në zonën e Ersekës.
Gjatë eksplorimit të fundit, anëtarët e shoqatës kanë hasur në mbetje kockore, të cilat ngjallin dyshime se mund të jenë të origjinës njerëzore.

Sipas njoftimit të Shoqatës Speleologjike Shqiptare, zbulimi është bërë pranë njërës prej anëve të liqenit që ndodhet në fund të shpellës. Në këtë periudhë, niveli i ujit është ulur me rreth 1.30 deri në 2 metra, çka ka bërë të mundur hyrjen në një pjesë të paeksploruar më parë.
Në atë zonë, pjesëtarët e ekipit kanë vënë re disa fragmente kockore që, në pamje të parë, duken të vjetra dhe të ekspozuara prej shumë vitesh.

“Pasi u sigurua zona dhe u krye dokumentimi fotografik, njoftuam menjëherë autoritetet lokale të Ersekës dhe u dorëzuam materialet përkatëse për hetim të mëtejshëm,” – thuhet në njoftimin e shoqatës.
Autoritetet përkatëse pritet të analizojnë mbetjet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për kocka njerëzore apo jo, si dhe për të kuptuar origjinën dhe moshën e tyre.

Zbulimi ka ngjallur kureshtje dhe diskutime në komunitet, pasi “Vrima e Kopilës” është prej vitesh një nga shpellat më të thella dhe më të vështira për t’u eksploruar në rajonin e jugut.
Eksploruesit thonë se shpella fsheh shumë mistere për shkak të strukturës së saj komplekse dhe liqeneve të brendshme që ndryshojnë nivelin sipas stinëve.

Në përfundim të njoftimit, Shoqata Speleologjike Shqiptare thekson se mbetet në dispozicion të autoriteteve për çdo bashkëpunim të mëtejshëm dhe për garantimin e sigurisë gjatë hetimeve.

Ndërkohë, në shpellën e errët ku koha duket se ndalet, pyetja që mbetet pezull është:
Kujt i përkasin kockat e gjetura në fund të “Vrimës së Kopilës”? / VERSUS

Poll