Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi në një konferencë për mediat se konflikti në Lindjen e Mesme ka nisur të japë efekte edhe në tregun shqiptar, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të disa produkteve bazë të shportës ushqimore.
Në përgjigje, ministrja theksoi se shteti nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e çmimeve në një ekonomi tregu, por po monitoron situatën për të shmangur çdo abuzim të mundshëm.
“Ne nuk ndërhyjmë në çmime, por i monitorojmë ato në mënyrë të vazhdueshme dhe do të verifikojmë në terren nëse ka raste spekulimi,” u shpreh Ibrahimaj.
Ajo shtoi se në rast të një ndikimi të vazhdueshëm në rritjen e kostove të jetesës, qeveria mund të shqyrtojë masa mbështetëse për shtresat më të ndjeshme, duke vënë theksin te pensionistët.
Pjesë nga fjala e minsitres:
Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime. Unë thashë që ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive dhe ajo që thashë është se në rast se do të kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit atëherë ne do suportojmë shtresa që nuk e përballojnë rritjen e çmimit, as për një periudhë të përkohshme pasi siç dihet luftërat fillojnë dhe mbarojnë.
Dhe fokusi ynë është te pensionistët. Asnjëherë nuk e kam thënë që do të ndërhyjmë te çmimet, sepse e kemi të pamundur qoftë nga ekonomia që kemi ngritur ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndryshe janë karburantet dhe ndryshe tregu i ushqimeve./Versus.al

