
Pas ngjarjes tronditëse të abuzimit ndaj një vajze 12-vjeçare të ndodhur javën e kaluar në fshatin Sheqisht të Fierit, ku babai u arrestua për kryerjen e aktit të rëndë ndaj vajzës së tij, familja ka mbetur në një gjendje të mjerueshme sociale dhe ekonomike.
Juela Meta, nëna e 7 fëmijëve, është sot e vetme përballë një realiteti të pamëshirshëm. Pas arrestimit të bashkëshortit, ajo ka mbetur pa asnjë përkrahje reale, ndërsa përpiqet të kujdeset për gjashtë fëmijët e tjerë, më i vogli vetëm 1 vjeç. Aktualisht, ajo endet rrugëve të qytetit të Fierit në kërkim të ndihmës më minimale: ushqim dhe strehim.
Xhemal Ruko, gjyshi i fëmijëve dhe babai i Juelës, i tronditur nga situata, apelon publikisht për ndihmë:
“Fëmijët kanë mbetur jetim. Vajza ime nuk ka asnjë mundësi të punojë, pasi ka në krah fëmijë të vegjël, një prej të cilëve është vetëm njëvjeçar. Ndihma e dhënë nga bashkia, 200 mijë lekë të reja dhe mbulimi i qirasë për një banesë që ende nuk është gjetur, nuk mjafton për asgjë.”
Ai thekson se nuk kanë asnjë kontakt me mbesën 12-vjeçare që ndodhet në një qendër rehabilitimi në Tiranë dhe nuk kanë informacion për gjendjen e saj aktuale.
“Nuk e dija çfarë ndodhte në atë shtëpi. Po të isha në dijeni, do të veproja ndryshe. Tani është vonë për fjalë, duhet ndihmë reale”, thotë ai.
Ajo që shton më tej dhimbjen është fakti se, sipas dëshmive të Juelës, asnjë përfaqësues i shërbimeve sociale nuk ka kontaktuar me të për të parë nga afër gjendjen e fëmijëve.
Në mungesë të ndërhyrjes shtetërore, kanë qenë gazetarë lokalë ata që kanë reaguar të parët, duke sjellë ndihma të menjëhershme ushqimore.
Një biznes vendas është gjithashtu bashkuar në ndihmë, por situata mbetet larg zgjidhjes.
Familja ka nevojë urgjente për mbështetje të vazhdueshme: strehim të qëndrueshëm, ushqime, veshmbathje dhe ndihmë për përkujdesjen e fëmijëve, ndërsa institucioneve shtetërore u kërkohet të ndërhyjnë sa më parë për të garantuar mbrojtjen dhe dinjitetin e kësaj nëne dhe të vegjëlve të saj.







