
Një sherr banal ka përplasur mes tyre dajën dhe nipin pasditën e sotme në Podujevë.
Mësohet se daja ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të plagosur 4 persona, 3 prej të cilëve anëtarë të familjes.
Mediat në Kosovë informojnë se të plagosurit janë Fidaim Zejnullahu, Fatlum Zejnullahu, Agim Xhemaji dhe Argjend Islami, ky i fundit kalimtar i rastit.
Sipas mediave, nipi ishte emigrant, ndërsa motivi i sulmit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mëhershme.
Ndërkohë, të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një komunikatë për të shtënat me armë zjarri sot në sheshin e Podujevës ku katër persona mbetën të plagosur, përfshirë edhe një kalimtar rasti.
Prokuroria tha se përleshja e armatosur ndodhi orës 13:40, në sheshin ‘’Bulevardi i Dëshmorëve’’ ndërmjet tre personave dhe se sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.

