
Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka mbërritur sot në ambientet e SPAK për t’u marrë në pyetje si person me dijeni mbi hetimet që po zhvillohen ndaj vëllait të tij, i arrestuar më 10 shkurt 2025 nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Sipas materialeve hetimore, emri i Arbër Veliaj përmendet në disa episode të dosjes së SPAK që lidhen me lëvizje financiare të dyshimta të vëllait dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, të cilat ngrejnë dyshime për përfshirje në pastrim parash.
Arbër Veliaj ka nënshkruar një kontratë prej 300 mijë eurosh për të siguruar shërbime këshillimi ligjor për Erion Veliaj nga një studio amerikane, ndërkohë që ndaj tij nuk është ngritur ende ndonjë akuzë. Materialet e SPAK tregojnë gjithashtu se ai ka qenë i përfshirë në menaxhimin e fushatës mediatike dhe në koordinimin e përfaqësuesve ligjorë ndërkombëtarë gjatë kohës që Erion Veliaj ndodhej në paraburgim.
Hetimet kanë evidentuar raportime financiare mes kompanisë së Arbër Veliajt, “Gogel Shpk”, dhe organizatave të kontrolluara nga Ajola Xoxe, përfshirë shuma me vlera të konsiderueshme që SPAK i konsideron të dyshimta ose fiktive.
Në dosje përmenden gjithashtu lidhjet e kompanisë “Gogel” me shoqërinë “One Albania”, që ka përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës, duke ngritur dyshime për trafik interesash dhe qarkullim parash brenda familjes Veliaj.
Përveç kësaj, Arbër Veliaj rezulton të ketë blerë prona dhe objekte të ndryshme nga shoqëri ndërtimi që lidhen me persona të përfshirë në hetimet e SPAK, përfshirë kompaninë “AgiKons” të Gent Sulës./Versus.al
View this post on Instagram







