
Operacioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike dhe goditjen e ndërtimeve pa leje po merr një tjetër përmasa në zonën e Farkës.
Në një kantier ndërtimi, forcat e shumta të IMT dhe Policisë Bashkiake kanë ndërhyrë për të bllokuar disa objekte 2-3 katëshe që po ngriheshin në shkelje flagrante të lejes së ndërtimit.
Ngjarja ka marrë vëmendjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, si dhe Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj. Ata inspektuan situatën në terren, duke e cilësuar ndërhyrjen si pjesë të një aksioni më të gjerë për mbrojtjen e territorit.
Sipas raporteve, 7 vila në këtë kantier i përkasin Vladimir Kostës, ish-deputet i Partisë Socialiste.
Kosta është një figurë e njohur për lidhjet e tij politike dhe pronësore: ai u paraqit në SPAK në shkurt 2025 në lidhje me hetimet për dosjen e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, dhe njihet gjithashtu si pronar i pallatit ‘Sky Tower’ në Ish-Bllok, ku ndodhen zyrat e OJF-së ‘Harabel’ të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa.
Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se ndërtuesit, mbikëqyrësit dhe inspektorët që kanë shkelur kushtet e lejeve për objektet luksoze do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
Gjithashtu, qytetarët u këshilluan të tregohen të kujdesshëm gjatë blerjes së pasurive të paluajtshme, duke verifikuar paraprakisht statusin ligjor të pronës.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje është pjesë e paketës së re ligjore që hyri në fuqi në tetor, e cila synon vendosjen e sanksioneve të forta ndaj shkelësve.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë statusin ligjor të pronave para blerjes dhe të denoncojnë çdo abuzim me pronën publike. Koçiu theksoi se askush që ndërton apo shkel lejen ndërtimore nuk do të përfitojë asnjë metër katror të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
''Dua të theksoj që gjithë ky aksion vjen në vazhdën e paketës së masave ligjore të hyrë në fuqi në fillim të muajit tetor, të cilat kanë për synim të garantojnë e zbatojnë masa e sanksione konkrete. Këtu kam një thirrje për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të blejnë një pronë, që duhet të bëjnë shumë kujdes në verifikimin e statusit ligjor të saj dhe të lajmërojnë organet kompetente për çdo parregullsi apo situatë abuzive me pronën. Ky është një aksion që do të vazhdojë deri ditën e fundit për të garantuar ligjshmërinë dhe për të mbrojtur gjithë territorin e vendit nga çdo lloj abuzimi me pronën publike. Askush që ka një leje ndërtimi apo del përtej lejes së ndërtimit nuk do të lejohet të përfitojë asnjë metër katror më tej se leja e dhënë. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që ndërtojnë apo shesin objekte që nuk do ta kenë të mundur të përfitojnë asnjë metër katror të zaptuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme.'' u shpreh ministrja Koçiu.
