BOTA /

Alarm / Mbi 200 viktima e 900 raste të dyshuara me Ebola, OBSH ngre alarmin ndërkombëtar

Epidemia e shkaktuar nga virusi Bundibugyo po përhapet me shpejtësi në zona të pasigurta të Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa rastet janë konfirmuar edhe në Ugandë.

Shkruar nga Versus

Alarm / Mbi 200 viktima e 900 raste të dyshuara me Ebola, OBSH ngre alarmin

Epidemia e Ebolës në Republika Demokratike e Kongos ka shkaktuar deri tani 204 viktima dhe 867 raste të dyshuara, sipas raportit më të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë e vendit. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se situata mbetet kritike, ndërsa përhapja e virusit po favorizohet nga pasiguria dhe konfliktet e armatosura në zonat e prekura.

Një ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi 177 vdekje të dyshuara të lidhura me Ebolën nga rreth 750 raste të dyshuara. Diferencat në shifra lidhen me përditësimin e vazhdueshëm të të dhënave në terren.

Autoritetet kongoleze shpallën zyrtarisht shpërthimin e epidemisë më 15 maj. Sëmundja është shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik. Ky variant ka një shkallë vdekshmërie që mund të arrijë deri në 50%.

OBSH ka shpallur alarm ndërkombëtar shëndetësor, duke theksuar rrezikun e përhapjes rajonale të virusit. Ebola shkakton ethe hemorragjike shumë ngjitëse dhe mbetet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse infektive, pavarësisht zhvillimeve të fundit në vaksina dhe trajtime, të cilat janë efektive kryesisht kundër variantit Zaire të virusit.

Situata në terren paraqitet e vështirë edhe për shkak të mungesës së testimeve laboratorike. Shpërthimi është përqendruar në zona të largëta dhe të rrezikshme, ku veprojnë grupe të armatosura. Deri tani, autoritetet kanë konfirmuar zyrtarisht 91 raste dhe 10 vdekje përmes analizave laboratorike.

Kreu i Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Jean Kaseya, deklaroi gjatë një konference në Kampala se pasiguria në rajon po ndihmon ndjeshëm përhapjen e epidemisë.

Ndërkohë, Uganda, që kufizohet me Kongon Demokratike, konfirmoi tre raste të reja të shtunën, duke e çuar totalin në pesë raste, mes tyre edhe një viktimë.

Sipas OBSH-së, Ebola ka shkaktuar mbi 15 mijë vdekje në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit, me shkallë vdekshmërie që varion nga 25% deri në 90%. Shpërthimi më i rëndë në historinë e Kongos Demokratike ndodhi mes viteve 2018-2020, kur u regjistruan rreth 3,500 raste dhe afro 2,300 viktima.

Poll