
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka theksuar nevojën urgjente për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun e naftës, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në ekonominë globale.
Gjatë një konference për shtyp në Athinë, përkrah kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, Macron deklaroi se bllokimi i kësaj rruge kyçe mund të përshkallëzojë krizën, ndërsa paniku i shkaktuar nga pasiguria gjeopolitike rrezikon të krijojë mungesa në treg.
“Jemi të gjithë në të njëjtën anije, dhe nuk është një anije që e kemi zgjedhur. Jemi viktima të gjeopolitikës dhe të kësaj lufte që ka nisur prej disa muajsh”, u shpreh ai.
Macron shtoi se Franca synon që Ngushtica e Hormuzit të rihapet “brenda ditëve dhe javëve në vijim”, duke theksuar rëndësinë jetike të saj për furnizimin global me energji.
Ndërkohë, më shumë se një dyzinë vendesh kanë shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar një misioni ndërkombëtar të udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, me synim mbrojtjen e anijeve tregtare në këtë korridor strategjik detar, sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e fundit rrisin frikën për një ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik ndërkombëtar.

