
Institucionet europiane janë tronditur pas arrestimit të ish-shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe dy zyrtarëve të tjerë.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian njoftoi se ekzistojnë dyshime të forta se tre të arrestuarit janë përfshirë në një rast shkeljeje të rregullave të konkurrencës në dhënien e një kontrate për të drejtuar një akademi trajnimi diplomatik.
Së bashku me Federica Mogherinin, në paraburgim ndodhet edhe Stefano Sannino dhe bashkëdrejtori i zyrës ekzekutive të arsimit të Kolegjit të Evropës, Cesare Zegretti.
Policia belge bastisi zyrat e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel, në ndërtesat e Kolegjit të Evropës në Bruges dhe në shtëpi private.
EEAS është departamenti i politikës së jashtme të BE-së. Deri në vitin 2019, ai drejtohej nga ish nënkryetarja e Komisionit, Federica Mogherini. Në vitin 2020, ajo u bë rektore e Kolegjit të Evropës, një institucion trajnimi për zyrtarët e ardhshëm të BE-së.
Stefano Sannino, një ish-diplomat italian, ishte një nëpunës i lartë civil në EEAS. Ai tani është drejtor i përgjithshëm i Komisionit Evropian për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe rajonin e Gjirit.
Personi i tretë i ndaluar në hetim është Cesare Zegretti, bashkëdrejtor i zyrës së trajnimit dhe projekteve ekzekutive të Kolegjit të Evropës, raportoi Politico, duke cituar një person të njohur me çështjen.
Hetuesi ka 48 orë kohë për të vendosur për veprime të mëtejshme, sipas një zyrtari tjetër të njohur me hetimin, sepse deri më tani nuk janë ngritur akuza kundër të arrestuarve, ndërsa vet Komisioni nuk pranoi të komentojë.
