Si ka qenë ecuria e ekonomisë në tri dekadat e fundit, sipas “ngjyrave” të partive që kanë qeverisur. Kush e ka fituar garën për pagat, pensionet, investimet. Ndërsa secila palë politike mund të “deklarojë” fitoren, humbësit më të mëdhenj kanë qenë shqiptarët, që edhe sot janë jo vetëm të fundit në rajon, me paga 30% më të ulëta, por dhe ndër më të varfrit e Europës dhe ende 35 vjet pas shpalljes së demokracisë po e kërkojnë zgjidhjen tek emigrimi, që është rekord në botë, në raport me popullsinë. Fasadat që lartësohen çdo ditë nuk e fshehin faktin që modeli ekonomik i tranzicionit ka shtuar pabarazinë, ka favorizuar korrupsionin, nuk ka mundësuar tërheqjen e investimeve me vlerë të shtuar dhe ka “zhvlerësuar” kapitalin human. Me aq para sa janë derdhur në vend nga qeveria dhe privatët, Shqipëria sot mund të kishte qenë shumë më ndryshe
Pagë minimale 500 euro/muaj, pagë mesatare mbi 1000 euro/muaj, dyfishim pensionesh etj., janë baza e programeve të partive politike, që do të kërkojnë votën e elektoratit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ende pas 35 vitesh tranzicion, ata po e bazojnë fushatën në premtime, që në fund të fundit garantojnë jetesën minimale të një individi, apo pensionisti, dhe as që duhet të viheshin në diskutim sot!
Partia Socialiste është në pushtet që prej vitit 2013 dhe synon për një mandat të katërt radhazi, teksa dhe më parë ka qenë në fuqi nga 1997-a në 2009-n.
Partia Demokratike ka qeverisur vendin në 2005-2013, ndërsa më herët ishte forca që udhëhoqi në fillim të viteve ’90 në kalimin nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut. Partitë e vogla nuk kanë arritur të gjejnë terren, duke u bërë shpesh një elektron i lirë që kalon majtas apo djathtas, pa qenë faktorë vendimtarë në qeverisje.
Partia Socialiste ka qeverisur për 20 vjet dhe ajo Demokratike për 13 vjet. Shqipëria, pa dyshim, sot është shumë më mirë sesa në fillim të viteve ’90. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) arriti në 25 miliardë euro në 2024-n, nga rreth 2.2 miliardë dollarë në vitin 1995.
Të ardhurat për frymë kanë arritur në 9600 dollarë në 2024-n, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nga 250 dollarë në vitin 1992 dhe 900 dollarë në vitin 1995.
Por a është aty ku duhet të ishte?! Të dhënat krahasuese me rajonin dhe Europën tregojnë që jo.
Ndarja e pushtetit majtas apo djathtas nuk ka arritur ta nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve më të varfra e të korruptuara të Europës, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse janë sa një e treta e Bashkimit Europian, pagat janë 30% më të ulëta se mesatarja e rajonit (pa Kosovën), ndërsa qytetarët e saj vijojnë të jenë më të palumturit në Europë (me përjashtim të Turqisë) dhe ende po ikin në emigracion me ritme të ngjashme me fillimin e viteve ’90 dhe më të lartat në botë, në raport me popullsinë.
“Monitor” sjell një panoramë të performancës ekonomike të tri dekadave të fundit. Partia Demokratike ka “shansin” që nuk është në pushtet prej vitit 2005, duke shmangur përgjegjësitë, ndërsa ajo Socialiste ka barrën e dështimeve, apo meritën e arritjeve të 12 viteve të fundit.
Të fundit
Ndarja e pushtetit majtas apo djathtas nuk ka arritur ta nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve më të varfra e të korruptuara të Europës, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse janë sa një e treta e Bashkimit Europian, pagat janë 30% më të ulëta se mesatarja e rajonit (pa Kosovën), ndërsa qytetarët e saj vijojnë të jenë më të palumturit në Europë (me përjashtim të Turqisë) dhe ende po ikin në emigracion me ritme të ngjashme me fillimin e viteve ’90 dhe më të lartat në botë, në raport me popullsinë.
GARA E PAGAVE E HUMBUR, EDHE SOT JANË 30% MË TË ULËTA SE RAJONI
Pagat në Shqipëri historikisht kanë qenë më të ulëtat në Europë dhe rajon (përjashtuar Kosovën), një reflektim i modelit ekonomik të paorientuar drejt produktivitetit dhe nivelit të lartë të informalitetit në sektorin privat.
INSTAT e raporton pagën mesatare në ekonomi vetëm nga viti 2014. Deri në vitin 2021, niveli i tyre mbeti i pandryshuar, madje në ndonjë vit edhe negative, nëse indeksohet me inflacionin.
Rreth tre vjet më parë, Kryeministri Rama nisi një garë të ethshme për të barazuar pagat me vendet e rajonit, që në atë kohë ishin 30-40% më të larta.
Forma e zgjedhur ishte më e lehta, duke përdorur buxhetin për të ndryshuar strukturën e pagave në administratën publike.
Me këtë lëvizje, kryeministri synonte që sektori privat të nxitej të vepronte dhe ai. Ajo që ndodhi realisht ishte që pagat në shtet u rritën me ritme më të shpejta sesa në sektorin privat.
Edhe reagimi i këtij të fundit më shumë ishte si rrjedhojë e presonit të mungesës së fuqisë punëtore, emigracionit të forcës së kualifikuar, apo formalizimit pas aksionit të nisur nga Tatimet.
Në fund të vitit 2024, paga në shtet e kaloi për herë të parë kufirin e 100 mijë lekëve në muaj (rreth 1 mijë euro), duke qenë 30% më të larta se në privat (76 mijë lekë), nga 20% që ishte diferenca në fillim të vitit 2022.
A përparuam në garën tonë me rajonin? Të dhënat e vitit 2024 tregojnë që jo. Me përjashtim të Kosovës, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit, të cilët nuk qëndruan në vend gjatë kësaj kohe.
Në Shqipëri, paga mesatare mujore për vitin 2024, sipas INSTAT, ishte 77 mijë lekë (rreth 770 euro), përkundrejt 1020 euro në Maqedoninë e Veriut, 1083 euro në Mal të Zi, 1090 euro në Bosnjë-Hercegovinë dhe 1155 euro në Serbi, sipas të dhënave që “Monitor” përpunoi nga agjencitë statistikore përkatëse.
Madje nëse konvertohet me kursin e vitit 2022, për të shmangur fryrjen nga kursi, paga mesatare në ekonomi në 2024 ishte 650 euro, sërish 40% më e ulët se mesatarja e rajonit.
Të dhënat e ndara për sektorin privat dhe shtetëror janë të disponueshme vetëm për Shqipërinë dhe Serbinë. Ato tregojnë “shtrembërimin” e tregut në Shqipëri, me një diferencë prej 30%, ndërsa në Serbi, si shteti dhe privati, kanë “fuqi” të paguajnë njësoj.
Në Serbi, sektori privat paguan mesatarisht 1100 euro në muaj, ndërsa në Shqipëri 690 euro, për vitin 2024.
Tre vitet e fundit treguan që rritja e pagave me urdhër administrativ është e destinuar të jetë një praktikë e dështuar. Forma më e mirë për rritjen e pagave në ekonomi lidhet me rritjen e produktivitetit.
Kjo do të thotë se pagat rriten në përputhje me përmirësimin e aftësive dhe efikasitetit të punonjësve, duke sjellë përfitime reale në prodhim dhe fitime më të larta për kompani, në vend që të rriten administrativisht pa asnjë përmirësim në performancë.
Modeli ekonomik që nxit këtë rritje të qëndrueshme të pagave bazohet në produktivitet dhe zhvillimin gjithëpërfshirës.
Në këtë model, investimet në teknologji, edukim dhe inovacion çojnë në rritjen e efikasitetit të punonjësve dhe përmirësimin e proceseve prodhuese, gjë që krijon më shumë vlerë të shtuar dhe fitime më të larta për kompani, të cilat më pas shpërndahen në formë të pagave më të mira.
Në Shqipërinë e orientuar nga ndërtimi dhe shërbimet kjo nuk po ndodh, duke na lënë sërish të fundit në rajon.
EDHE PENSIONET, MË TË ULËTAT NË RAJON
Jo vetëm pagat, edhe pensionet janë më të ulëtat në rajon. Në vitin 2024, një pensionist merrte mesatarisht 180 euro, më pak se gjysma e vendeve të rajonit, me rekordin që e mban Mali i Zi, me 450 euro në muaj.
Sipas Eurostat, fuqia blerëse për një pensionist shqiptar është më e ulëta në Europë. Pensionistët shqiptarë renditen ndër të fundit në Europë edhe sa i përket raportit të pensionist me të ardhurat në fund të karrierës.
Kjo do të thotë se nëse një individ në moshën 50-59 vjeç ka fituar 500 euro, në pension do të marrë vetëm 37% të asaj pagese.
Pensionet e pleqërisë janë rritur me ritme më të ngadalta sesa pagat, duke thelluar diferencën çdo vit e më shumë. Vitin e kaluar, pensioni mesatar ishte sa 24.6% e pagës mesatare mujore bruto. Dhjetë vite më parë, pensioni mesatar ishte sa 32% e pagës mesatare mujore bruto.
Politikat e rritjes së pensioneve janë të ndryshme nga pagat. Ligji për sigurimet shoqërore lejon vetëm indeksim të pensioneve me inflacionin për të mbajtur nën kontroll deficitin e skemës së sigurimeve shoqërorë publike që financohet nga taksat.
Fuqia blerëse e pensionistëve po gërryhet më tej edhe nga thellimi i diferencës ndërmjet pagave dhe pensioneve. Rritja e hendekut ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar thellon pabarazinë ndërmjet pensionistëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë.
Rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë u përshpejtua në vitin 2023, me ritmet më të larta të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore 590,649 persona morën pension pleqërie në vitin 2023, me rritje vjetore 3,1%.
Në vitin 2023, për çdo pensionist kishte 1.17 kontribuues, nga 1.3 në 2009-n. Kur raporti bie nën 2:1, skema fillon të përballet me presion serioz financiar, siç ndodh aktualisht në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë.
Rënia e këtij raporti ndodh zakonisht për shkak të plakjes së popullsisë, emigracionit dhe punës informale dhe e vë sistemin e pensioneve në rrezik pa reforma strukturore.
Për momentin, shpenzimet qeveritare i ka “shpëtuar” fakti që pjesa më e madhe e atyre që po dalin në pension nuk i plotësojnë kushtet për pagesa të plota, si rrjedhojë e informalitetit të lartë në tregun e punës. Pensionet e reja të vitit 2023 ishin ndjeshëm më të ulëta se pensioni mesatar.
Të dhënat zyrtare nga ISSH referojnë se ata që dolën në pension vitin e kaluar morën mesatarisht 15,560 lekë në muaj, vlerë kjo të paktën 15% më e ulët se pensioni mesatar në shkallë vendi mbi 18,300 lekë në muaj.
Në anën tjetër, rritja e pagës minimale dhe pagave në tërësi në sektorin publik dhe atë privat kanë ndikuar pozitivisht të ardhurat nga kontributet.
Rritja e të ardhurave dhe frenimi i shpenzimeve bënë që subvencioni i buxhetit për skemën e sigurimeve të zbresë në 14,6 miliardë lekë në vitin 2023, vetëm 0.8% e PBB-së, nga 23 miliardë lekë që ishte në vitin 2022.
Buxheti i shtetit subvencionon shpenzimet e skemës publike të pensioneve që nuk mbulohen nga sigurimet. Por duke qenë se pensionet e reja po dalin më të ulëta se pensioni mesatar në vend, subvencionet e buxhetit për skemën e pensioneve po ulen.
Ky shpëtim i momentit nuk është zgjidhje në afatin e gjatë, teksa popullsia po plaket me shpejtësi dhe mosha mesatare sipas Censit të fundit ka arritur në 42.5 vjeç (nga 31.5 vjeç në 2011-n) dhe popullsia në moshë të re po vijon të largohet.
Raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i numrit të individëve mbi 65 vjeç me numrin e individëve në moshë pune, 15-64 vjeç), u rrit në 30.4% nga 16.7% në 2011.
Shqipëria sot bazohet në kolonën e parë të pensioneve, asaj me kontribute të detyrueshme, (pay as you go – pensionet për të moshuarit dhe personat e paaftë për punë varen nga kontributet e brezit aktiv në tregun e punës), ndërkohë që nuk kanë gjetur zhvillim shtylla e dytë (një kontribut të detyrueshëm me ligj në një fond privat pensioni të zgjedhur nga vetë kontribuuesi – që nuk ka ende kuadër ligjor) dhe e tretë (kontributin në një fond privat pensioni, por mbi baza vullnetare të sistemit, që është në nivele shumë të ulëta) ose skemat e sigurimit suplementar të detyruara dhe vullnetare.
Qeveria aktuale ka nisur ndërkohë një reformë të re për skemën e pensioneve, ku po diskutohet që dalja në pension 67 vjeç do të ndodhë para afatit aktual 2056, të zhvillohet kolona e dytë; formulës së përllogaritjes së përfitimeve për një përfitim sa më të drejtë në raport me jetën kontributive të zhvilluar nga individi në kuadër të përfitimit të një niveli të mjaftueshëm të të ardhurave; nivelit të kontributit për kategoritë punëmarrës apo punëdhënës.
VENDI KA NGECUR NË PROCESIN E KONVERGJENCËS, MBETET NDËR MË TË VARFRIT E EUROPËS
Në vitin 1990, Shqipëria ishte më e varfra e Europës, sipas të dhënave të FMN-së për të ardhurat për frymë të matura sipas fuqisë blerëse, me 2948 dollarë ndërkombëtare[1] (njësia që bën krahasime më të drejta të standardit të jetesës dhe të performancës ekonomike midis vendeve, duke marrë parasysh ndryshimet në çmime dhe fuqinë blerëse).
E parafundit ishte Polonia (6687 dollarë ndërkombëtarë), më pas Rumania (8134) dhe Bullgaria (9434). Për shtetet e ish-Jugosllavisë, të dhënat janë më të vonshme, nga viti 1997, por dhe ato ishin pak a shumë në të njëjtat nivele.
Më se tri dekada më pas, zhvillimi në vendet që kaluan nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut të lirë janë shumë të ndryshme, siç duket dhe në grafikun e mëposhtëm.
Polonia u rrit me shpejtësi, e ndihmuar si nga vendndodhja strategjike afër shteteve perëndimore, ashtu dhe anëtarësimi më i shpejtë në Bashkimin Europian. Bullgaria dhe Rumania gjithashtu u favorizuan nga anëtarësimi në BE.
Në vitin 1990, të ardhurat e Polonisë, sipas fuqisë blerëse ishin sa 37% të mesatares së Bashkimit Europian të atëhershëm, ndërsa në 2024-n sa 82% e tyre, ose 90% të mesatares së Europës. Të ardhurat e Bullgarisë janë sa 62% e mesatares së BE-së.
Shqipëria dukshëm ka mbetur në procesin e konvergjencës, që nënkupton një rritje më të shpejtë se vendet e zhvilluara, me synim për të kapur mesataren e Europës brenda një periudhe kohore.
Në vitin 1990, të ardhurat për frymë, të matura sipas fuqisë blerëse ishin 16% e Bashkimit Europian dhe në vitin 2024, ato nuk janë më shumë se 37% e asaj që siguron mesatarisht një qytetar i Europës dhe 34% të Bashkimit Europian.
Ndërsa vendet e Europës Lindore kishin avantazhin gjeografik dhe të anëtarësimit në BE, Shqipëria ka mbetur pas edhe në raport me Ballkanin Perëndimor, duke u renditur e parafundit, teksa ia kalon vetëm Kosovës.
Mali i Zi ka të ardhurat më të larta, me 50% të BE-së, i ndjekur nga Serbia (46%), Maqedonia e Veriut (42.9%), Bosnjë- Hercegovina në pothuajse të njëjtin nivel me Shqipërinë (34.3%) dhe e fundit Kosova, me 27%.
Vendet e Europës Lindore kanë përmirësuar performancën ekonomike falë reformave strukturore të thelluara, investimeve të mëdha të huaja dhe integrimit të shpejtë në tregjet europiane, duke rritur produktivitetin dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor përballet me sfida institucionale, korrupsion dhe pabarazi strukturore, të cilat kanë penguar rritjen e tyre ekonomike. Modele të suksesshme në Ballkan janë Kroacia dhe Sllovenia, që kanë të ardhura përkatësisht sa 78% dhe 88% e mesatares së BE-së.
Këto shtete, që janë “shkëputur” prej kohësh nga Ballkani kanë ecur më mirë sepse, duke qenë se janë bërë pjesë e strukturave europiane më herët, kanë përfituar nga investimet e huaja, reformat institucionale dhe zhvillimi i infrastrukturës, të cilat kanë krijuar një klimë më të favorshme për zhvillim ekonomik.
Gjithashtu, baza industriale më e zhvilluar dhe një fokus më i fortë në diversifikimin ekonomik dhe turizmin kanë kontribuar në rritjen e tyre krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Për vitin 2024, të dhënat e FMN-së për të ardhurat për frymë e rendisin Shqipërinë përpara Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës, me një kërcim të fortë në 9598 dollarë/frymë, nga 8,299 USD në 2023 dhe 6,870 në vitin 2022.
Maqedonia e Veriut dhe Bosnja mbetën pas në 2024-n, me përkatësisht 8.6 dhe 8.2 mijë dollarë për frymë.
Por, më shumë sesa rritje e mirëqenies së çdo shqiptari ky është një përmirësim statistikor për dy faktorë, së pari rënia e valutave që automatikisht shton të ardhurat e konvertuara në dollar dhe së dyti, tkurrja e popullsisë pas të dhënave të Censit të Ri.
Këtë e vërteton dhe fakti se në të ardhurat për frymë, të matura sipas fuqisë blerëse, Shqipëria vijon të jetë ndër të fundit në Europë dhe në 2024-n, duke lënë pas vetëm Ukrainën, Moldavinë dhe Kosovën. Monitor.al
