EKONOMI & MJEDIS /

Kredia për shtëpi u rrit me 23% për tremujorin e parë të vitit

Shkruar nga Versus

Kredia për shtëpi u rrit me 23% për tremujorin e parë

Kredia në shtëpi e ka nisur me ritme të shpejta të rritjes edhe vitin 2025. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit sektori bankar dha pothuajse 16 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash. Vlera e kredisë së re është rritur me gati 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në fund të muajit mars, vlera totale e portofolit të kredisë për blerje banesash nga familjet shqiptare ka arritur në pothuajse 218 miliardë lekë, në rritje me 15.6% krahasuar me një vit më parë.

Kreditimi nga sektori bankar vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një kërkese të lartë në tregun e pasurive të paluajtshme. Vrojtimi i radhës i Bankës së Shqipërisë tregoi se në 6-mujorin e dytë të vitit çmimi mesatar i banesave u rrit me 44.5% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme prej më shumë se një viti ka ngjallur shqetësimin e Bankës së Shqipërisë. Kjo rritje u bë shkaku kryesor për vendosjen e një shtese të posaçme kundërciklike kapitali vitin e kaluar.

Por, shifrat e tremujorit të parë të vitit tregojnë se masat e mëparshme të Bankës së Shqipërisë nuk kanë ndikuar në frenimin e kreditimit në këtë segment, edhe për shkak të faktit që në përgjithësi sektori bankar ka nivele të larta kapitalizimi dhe nuk shtesat e mëtejshme të vendosura nga Banka e Shqipërisë nuk kanë krijuar shumë shqetësim.

Në këto kushte, ditët e fundit Banka e Shqipërisë e përshkallësoi ndërhyrjen e saj rregullatore, duke vendosur për herë të parë disa kufij për tregues të veçantë të administrimit të rrezikut për kredinë për shtëpi.

Vendimi parashikon përcaktimin e niveleve tavan për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale.

Raporti i kredisë ndaj vlerës është përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë. Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave përfaqëson raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona, në raport me të ardhurat e huamarrësve. Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme dhe në kuadrin makroekonomik të vendit, si rritja e papunësisë, rënia e të ardhurave, rritja e normave të interesit, etj. Banka e Shqipërisë argumenton se këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia.

Njëkohësisht, vendimi parashikon një rekomandim lidhur me afatin maksimal të maturimit të kredisë për pasuri të paluajtshme rezidenciale, i cili mund t’u shërbejë bankave për të përmirësuar profilin e rrezikut të një ekspozimi të caktuar/ Monitor.al

Poll