Euro 2024 po zhvillohet siç ishte planifikuar me Gjermaninë që merr përsipër të gjithë eventin me ndeshjet që do të priten në 10 qytete të ndryshme.
Ndeshja hapëse e Euro 2024 do jetë Gjermani-Skoci.
Sa i përket suksesit organizativ, e vërteta është se askush nuk e vë në dyshim, megjithatë pikëpyetja e madhe ka të bëjë me çështjet e konkurrencës ku si zakonisht ka vlerësime për favoritët dhe të huajt, por kur jemi në fund të sezonit futbollistik dhe me futbollistët e mbingarkuar, nuk përjashtohet mundësia që të ketë surpriza gjatë kompeticionit.
Mes favoritëve është Franca, e cila ka fituar vetëm një kampionat evropian në 1984-ën teksa mposhti në finale Spanjën me rezultatin 2-0. Së fundmi francezët kanë qenë të qëndrueshëm, me finale e Euro 2016, fitimin e Kupës së Botës në 2018 dhe finalen e 2022-it.
Mes skuadrave favorite nuk mund të mos përfshihen Gjermania dhe Anglia. Ndërsa Cristiano Ronaldo ka mundësinë e një shfaqje të fundit spektakolare me Portugalinë që ka mbledhur një grup të shkëlqyer lojtarësh.
Në kompeticion, kombëtarja shqiptare merr pjesë për herë të dytë në historinë e saj. Pavarësisht se fati i rezervoi “grupin e ferrit” me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, kuqezinjtë kanë shprehur vetëbesim dhe janë gati të tentojnë të kalojnë grupin. Ndeshja e parë e kombëtares shqiptare do të jetë nesër kundër Italisë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, ku pritet që në shkallët e stadiumit të jenë të pranishëm mbi 50 mijë tifozë shqiptarë. Versus.al








