Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në Pallatin e Kongreseve ka mbërritur arkëmorti me trupin e pajetë të liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. *Në ceremoninë e homazheve janë të pranishëm familjarët e tij bashkëshortja Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina si dhe shumë të afërm e miq. *Homazhet publike kanë nisur që në orën 08:30.
FJALA E PLOTË/ Edi Rama rrëfen raportet e panjohura me Nanon: S’të them lamtumirë, mos vdeksh kurrë Fatos!

I thonë një fjale, “vdis pa të të dua”. Sa do të doja i dashur Fatos të uleshim sonte në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit, plot me shijen e ajrit të pastruar mes nesh, e t’i kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve e të personazheve të ndryshëm, tërë ç’u tha e ç’u shkrua për ty qysh se doli lajmi që këtë herë ti ike përgjithnjë.
Por sa të paskan dashur e të paskan admiruar mor burr i dheut! Po edhe ata që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë dhe gurë në kurriz pa të hedhur! Mezi ç’paskeshin pritur të ta tregonin dashurinë dhe adhurimin sapo ta merrnin vesh që nuk do ti hapësh më sytë.
More deri te ata që të kallën në burg duke të akuzuar si vjedhës dhe që erdhën të të vrasin në zyrë duke të mallkuar si vrasës, e që t’i lëshuan mbi fytyrë për vite e vite të tëra me radhë, tërë të zezat e gjuhës shqipe, - veç ta shije si t’i kanë qëndisur aq bukur fjalët e admiratës së tyre!
Plasja më vjen që s’jemi sot në një darkë që s’do kishte të paguar!
Po ndërkohë, në vend që të qeshja ca me ty sonte, mua më duhet të rendis fjalët e një lamtumire, të cilën të them të drejtën nuk e imagjinova dot fare, hiç, as pasi miku ynë Solis më shkroi me keqardhje të madhe se kishe hyrë në një koma irreversibile.
Mendova atë çast vetëm gruan tënde të paepur Xhoin, që do të vazhdonte të rrinte koka edhe për kushedi sesa vjet të tjerë, si një roje besnike e gjumit tënd të pambarimtë, por të betohem, as fare nuk të mendova ty, assesi jo të shtrirë në një arkmort për të ikur me të vërtetë nga kjo jetë të cilën e deshe dhe jetove, duke ia marrë sa munde të tëra orët e vogla të natës, e duke ia pirë gotat e fatit me fund, ashtu si vinin, dhe duke ia tymosur kapitujt me po atë ëndje, qoftë kur ngjiteshe në majë, e qoftë kur prekje fundin, apo kur tërhiqeshe mënjanë.
Po ja që erdhi befasisht për mua kjo ditë zie dhe më ra puna e vështirë e të parës lamtumirë që kryetari i familjes më të madhe politike të shqiptarëve, i jep jo thjesht një paraardhësi, por të parit kryetar, themeluesit të familjes sonë.
E teksa rrotullohesha me sy anë e përqark faqes së bardhë në ekran, duke përpjekur të nxjerr nga duart fjalët e kësaj lamtumire m'u ndërmend ajo historia jote me vdekjen e Mao Ce Dunit dhe m'u duk vetja fiks si ai drejtori i Metalurgjikut që duhet t'u thoshte diçka kinezëve të mbledhur në sheshin e madh të Kombinatit, pas lajmit të ndarjes nga jeta të kryetarit Mao. I hutuar prej situatës së papritur, drejtori kërkoi mëndje lartë në Komitetin Qendror, se ç'duhet të bënte me turmën e kinezëve të grumbulluar në shesh, që të ishte në lartësinë e ngjarjes. I thanë se do të pyesnin lart fare dhe do t'i kthenin përgjigje, por kur përgjigja po vononte dhe kinezët nuk luanin vendit, i shkreti drejtori i ra përsëri telefonit në kërkim të orientimit nga lart. “Na thoni ç'të bëjmë”, - tha, “se nuk pret puna”. Përgjigja që mori ishte e çarmatosëse, “orientim nga lart fare nuk ka, kështu që bëni siç keni bërë herë të tjera”!
Dhe natyrisht që këtë herë është shumë ndryshe nga herët e tjera, edhe sepse njeriu që ikën sot pa kthim nga Tirana, ku lindi, u rrit, u adhurua e u anatemua dhe bëri histori është një rast tejet i veçantë për t'u përcjellë me fjalët e rastit, pa u bërë qesharak, siç më duket mua, të paktën se u bënë ata që duke folur për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, morën me të mirë tërë këto ditë veten e tyre.
Me Fatosin, ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë, por historia e marrëdhënies sonë, zhvilluar mes ekstremesh nga “birësimi” im në familjen socialiste, me bekimin e tij, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij nuk ka vend këtu në këtë eulogji. Ose jo, ka vend vetëm për një fakt, nëse jam unë sot zëdhënësi i hidhërimit të krejt familjes së madhe socialiste, kjo lidhet padyshim me intuitën dhe me guximin e kryetarit themelues për të më ftuar dhe dhënë vend në odën e shtëpisë sonë politike, duke thyer asokohe një mur të madh ndarës me shoqërinë e kohës, kur shtëpia e socialistëve nuk qe ajrosur ende plotësisht nga era e të shkuarës.
E kam pyetur veten në kohë të ndryshme nëse Fatos Nano e deshi apo jo barrën e kryetarit të Partisë Socialiste, e nëse vërtetë e mori përsipër, apo ajo i ra mbi shpatulla me të tërë vrazhdësinë e faktit të kryer ato ditë e netë kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysmë shtize dhe me moralin e rënë nën shuajt e këpucëve të shqyera nga marshimi 45 vjeçar, drejt horizontit të kuq, që vetëm largohej derisa u zhduk në gurmazin e konsumuar të komunizmit, i cili tamam në sallën e madhe të këtij Pallati Kongresesh nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë planetin, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit që frynte e përplasej mbi “kongresmenët”, e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit të tyre në një fishkëllim sa çjerrëse, aq edhe qesharake, kur nga foltorja shpallej dorëzimi përpara realitetit.
I gjendur aty mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve, gjëmi mbytur nga ardhja e qametit dhe sekretarëve lëkurë rreshkur nga dielli, ara, fabrika, kantiere, “qorri”, siç e quanin shokët dhe e quanim mes nesh më duket gjithnjë si protagonist dhe si peng njëkohësisht.
Fytyra e dy kumtimtë e kuadrit të ri të partisë që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e profesorit garip të Ekonomikut, që tregonte barsoleta tallëse për regjimin duke pirë raki dhe që luante Beatles dhe Rolling Stones me kitarën e tij.
Nuk e kam dyshuar asnjëherë që pikërisht profili i tij jo skematik, i dha Fatos Nanos me hirin e pahirit skeptrin e të majtës së porsalindur, pas “varrimit të Partisë së Punës”, por besoj se vetë ulje ngritjet e forta të rrugëtimit të tij politik, përtej forcës përcaktuese të ngjarjeve, deri dhe të rënda fare, ishin pasqyrë, e pikërisht një dyzimi të thellë mes protagonistit të madh dhe pengut të një detyre prej të cilës ai tentonte të “arratisej”.... sa herë që t’i jepej mundësia. Por ama, qe pikërisht ai dyzim, pjellë e natyrës së tij jo dogmatike dhe aspak sistematike i kombinuar me burgosjen absurde, e cila ekspozoi të gjithë dogmatizmin primitiv të pengmarrësve, jo vetëm të Fatosit, por dhe të vetë lëvizjes demokratike që u bë fati i Partisë socialiste dhe e bekoi Fatos Nanon si lider të pakonkurrueshëm të socialistëve, duke i dhënë Partisë Socialiste një frymëmarrje të re dhe një perspektive reale për t’u kthyer në forcë dominante të politikës shqiptare.
Pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por dhe vetë Fatosi pa atë sakrificë të imponuar mbase nuk do ishte bërë një lider aq jetëgjatë në një kohë trazirash e ngatërresash, jashtë e brenda partisë ku lidershipi i tij ishte shumë më tepër frymë sesa prezence, shumë më tepër hapësire sesa kohë, shumë më tepër improvizim sesa programim dhe ku natyra e tij lidershipi së bashku me rikthimet e bujshme të kryetarit pas arratisjeve të tij përbën një material historik dhe socio-politik me një vlerë të jashtëzakonshme për këdo që një ditë do marrë përsipër ta zbërthejë vertetësisht dhe jo ta mbërthejë hipokrizisht, rolin vendimtar të Fatos Nanos, jo vetëm mbi atë që ishte nën drejtimin e tij, por dhe për atë që u bë më pas Partia Socialiste.
Në selinë e partisë që ai udhëhoqi qëndron një foto tanimë e mirënjohur e tij, e cila për mua mbetet pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes nga burgu. Më befason gjithnjë ndryshimi i hatashëm mes atij Fatosi dhe Fatosit të prangosur para gjykatësve që e burgosën.
Fatosi u gjyqit është profesori i ekonomikut që mbahet fortë për sytë e popullit para burgosjes peng i dyfishtë i asaj dite, që kur i hodhën në kurriz barrën e madhe që mbase nuk e deshi asnjëherë me gjithë shpirt dhe i persekutorit të tij xhahil, që e deshi me patjetër në burg.
Ndërsa Fatosi tjetër, ai i selisë i sapodalë nga burgu me dorën e majtë që tregon përpara dhe sytë që shkëlqejnë plot xixa, është një kafshë e rrallë politike që përtej të gjithave dhe pavarësisht të tërave ka radhën më të parë, meritën e madhe, që PS nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një tabu për PS-në dhe e bën PS-në krenare për qenien e saj një zëdhënëse, një mbrojtëse dhe një promotore e palëkundur e interesave madhore të vendit dhe të kombit shqiptar.
Ndër ata, që e nderuar kryetarin tonë me fjalë të mëdha pas vdekjes ishin dhe ata që e ngritën dhe e ulën “tradhtar” pse takoi Slobodan Millosheviccin gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në Selanik dhe për plot të tjera që nuk ia vlejnë t’i kujtojmë.
Unë e kam dëgjuar prej tij bisedën me “kasapin e Beogradit” dhe nuk e kam idenë nëse Fatosi e ka lënë të shkruar diku, por, jo vetëm që në atë takim dhe në atë bisedë, nuk ka asgjë prej tradhtari, por kur një ditë të dalin si duhet në dritë fjalët e thëna në atë takim, si dhe në takimet, bisedat dhe bashkëpunimet e Fatos Nanos me patriotët e lëvizjes kombëtare për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni, atëherë askush, dot askush, nuk do të mund të vërë në dyshim se kontributi patriotik i kryetarit themelues të partisë sonë për çlirimin e Kosovës dhe për nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit e rendit Fatos Nanon në rreshtat e nderit të historisë së Shqipërisë.
Pas varrosjes së Partisë së Punës Fatos Nnao ishte kyç në kalimin e shkretëtirës prej socialistëve dhe në bashkimin e tyre me botën demokratike.
E kam kujtuar dje gëzimin e tij pas takimit, po në sallën e madhe bashkëngjitur, ku lajmëroi pranimin e Partisë Socialiste në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re. “Si dita e diplomës kjo sot”, - më tha duke qeshur.
Në krye të qeverisë së vendit atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtet ndërtimit nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit 1997, duke u përballur me një opozitë primitive, hakmarrëse, destruktive, deri në sulme të armatosura ndaj institucioneve dhe ndaj tij, personalisht, fizikisht.
Gjithsesi, kjo nuk është dita për të shkruar historinë e Fatos Nanos, por dita për t’i dhënë atij lamtumirën.
Do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, komunikimi ynë si mes shoferit të turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, ku e kuptonim njeri-tjetrin në ajër dhe ku, kur ndodhte të ndanim ndonjë dilemë strategjike, këshillat e tua vinin të qëruara mirë, duke më ndihmuar shumë për të vënë pikën mbi “i”.
Ndërkohë që kur mendoj se çfarë katër rrotaku sovjetik more ti në dorëzim në turnin e parë, me çfarë mjeti më të mirë mora unë prej teje në të dytin për ta kthyer PS në brandin e shpejtësisë për Shqipërinë europiane që është sot, më vjen krejt natyrshëm të mos të të them lamtumirë, por thjeshtë mos vdeksh kurrë Fatos Nano!
FOTOLAJM / "Paqe" mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit?!
Teksa arkmorti me trupin e pa jetë të Fatos Nanos po përshkonte bulevardin "Dëshmorët e Kombit", dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama dhe Albin Kurti janë parë shumë pranë njëri-tjetrit duke biseduar.
Në këto foto, shihet që kryeministri Rama i shpjegon me duar Albin Kurtit, ndërsa ky i fundit e dëgjon.
Kujtojmë që Rama dhe Kurti patën një përplasje në lidhje me Gjykatën Speciale dhe procesin gjyqësor të ish liderëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë. Ky ishte vetëm përplasja e fundit, pasi prej vitesh tashmë "nuk fryn erë e mbarë në velat" politike mes dy shtetarëve më të lartë të ekzekutivit në Tiranë e Prishtinë
Përcjellja e veçantë për Fatos Nanon/ Arkëmorti del me “My Way” e Frank Sinantres në vend të muzikës funebre

Pallati i Kongreseve u mbush këtë të diel për homazhet e fundit të Fatos Nanos, ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste. Por ceremonia e tij u dallua jo vetëm nga emocionet dhe fjalët prekëse të familjarëve dhe miqve, por edhe nga mënyra unike e përcjelljes së tij.
Në vend të muzikës tradicionale funebre, orkestrat dhe praninë e fjalëve solemne, valët e tingujve të Frank Sinatra me këngën ikonike “My Way” mbushën sallën në momentin që arkëmorti po dilte nga salla e homazheve për tu vendosur në shtratin e topit. Kjo zgjedhje simbolike u duk si një reflektim i vetë jetës së Nanos.
Familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt nuk u duken aspak të habitur nga kjo zgjedhje përzjelljeje e pazakontë. Ndërkohë që tingujt e Sinatra mbushnin ambientin, secili pranishëm ndjeu një mesazh të qartë: Fatos Nano nuk është vetëm një figurë politike, por një njeri që jetoi jetën e tij “në mënyrën e tij”, me integritet dhe pasion.
Përshëndetja me “My ëay” u bë një mënyrë e veçantë për të kujtuar Nanon jo si një figurë të largët historike, por si një njeri që jetoi sipas rregullave të veta, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme në politikë dhe në jetën personale të të gjithë atyre që e njihnin.
“Në Mënyrën Time”
Tani që nata ka mbaruar,
Shikoj pas me qetësi,
Shumë rrugë kam shkelur,
Dhe disa hapa gabim.
Por çdo veprim që kam bërë,
E kam bërë me zemër plot,
Po, çdo zgjedhje dhe çdo rrugë,
E kam ndjekur në mënyrën time.
Njerëz erdhën dhe ikën,
Disa ma laën zemrën vrarë,
Por unë gjeta forcë të qëndroj,
Dhe nuk frikësohem të jem vetja.
Mund të kem gabuar ndonjëherë,
Por gjithmonë kam qëndruar i drejtë,
Sepse unë e jetova jetën,
Saktësisht në mënyrën time.
"Mos vdeksh kurrë Fatos Nano!" Rama kujton nga darkat jashtë kamerave pa mëri tek momentet historike

Në homazhet shtetërore për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, kryeministri Edi Rama e kujtoi atë me një fjalim të gjatë dhe emocional, duke rrëfyer sfidat, kujtimet dhe respektin e thellë që ndan për të.
“Kur më telefonoi doktor Solis, mendova menjëherë për gruan tënde, Xhoanën, që do të vazhdonte të të rrinte pranë si roje besnike, duke ndarë netët e pafundme dhe ditët e jetës sate. Fare nuk të mendova ty, të shtrirë në arkëmort, duke ikur nga kjo jetë që e deshe dhe e jetove plot pasion, duke ia marrë sa mund orët e natës dhe duke pirë gotat e fatit deri në fund, ashtu siç vinte,” tha Rama, duke përshkruar fillimin e reflektimit të tij.
Ai vazhdoi duke rrëfyer sfidën e të shkruarit të një lamtumire për një paraardhës:
“Erdhi kjo ditë zie dhe më ra puna e vështirë e lamtumirës që një kryetar i jep një paraardhësi, por jo një kryetar të zakonshëm, themeluesit të familjes tonë politike. Teksa përpiqesha të nxirrja fjalët e duhura, mu kujtua historia jote me vdekjen e Mo Ce Dunit dhe ndjeva veten si drejtori i metalurgjikut që duhet t’u fliste kinezëve në sheshin e Kombinatit. I hutuar, kërkova këshilla në Komitetin Qendror se çfarë duhej bërë me turmën, dhe përgjigja që mora ishte e thjeshtë: ‘Bëni si keni bërë herët e tjera.’”
Rama e përshkroi Nanon si një figurë unike: “Njeriu që ikën sot pa kthim nga Tirana, ku lindi dhe u rrit, është një rast i veçantë. Me Nanon ndamë bukë. Marrëdhënia jonë nisi mes ekstremesh, kaloi tek birësimi im te familja socialiste, deri tek sfidat që morëm për të ruajtur spektrin e tij. Ka vend këtu vetëm për një fakt: nëse unë sot jam zëdhënësi i hidhërimit të familjes socialiste, kjo lidhet me intuitën dhe guximin e tij, duke më dhënë vend në odën e familjes sonë.”
Ai kujtoi gjithashtu pasionin dhe dashurinë personale për miqësitë dhe momentet e thjeshta të jetës së Nanos:
“I thonë një fjale: vdis pa të dua. Sa do doja, i dashur Fatos, të uleshim sonte në një nga ato darkat tona të rralla të viteve të fundit, plot shije dhe ajër të pastër, dhe të flisnim deri vonë për revistën tonë të ngjarjeve, për çdo lajm, çdo ngjarje që ti e ndave me ne dhe që tani s’do ta shohim më. Sa të paskan dashur dhe admiruar ata që të sfiduan, të akuzuan, të burgosën dhe të mallkuan për vite me rradhë, veç ta shihje se si admirimi i tyre u shpreh në fjalë të bukura për ty. Plasja ime më vjen që nuk mund të ishim sonte në një darkë që nuk do të kishte paguar për këtë moment.”
“Lamtumirë kampion!”- Djali i Fatos Nanos: Babai na mësoi demokracinë dhe forcën e ringritjes!
Sokol Nano, djali i ish-kryeministrit Fatos Nano, mbajti një fjalë të shkurtër dhe të ndjerë gjatë ceremonisë së lamtumirës për të atin.
Ai theksoi se babai i tij ka lënë këtë botë vetëm fizikisht, duke theksuar ndikimin e tij të thellë si baba dhe si një burrë shteti i rrallë, i cili vendosi gjithmonë atdheun para vetes.
“Iku nga kjo botë vetëm fizikisht. Im atë ishte i pari që më foli për demokracinë, i pari që nuk e kishte frikë humbjen, sepse ai ishte një kalorës i vërtetë. Më dha mësim me shembullin e tij, më mësoi gjithçka, përfshirë edhe artin e ringritjes,” tha Sokol Nano.
“Dita më e errët e jetës sime” / Fjalë prekëse e Xhoana Nanos në homazhet për Fatos Nanon

Me lot në sy dhe zërin që i dridhej, bashkëshortja e Fatos Nanos, Xhoana Nano, mbajti një fjalë të thellë dhe prekëse gjatë ceremonisë së homazheve shtetërore në nder të liderit historik të Partisë Socialiste. Ajo e përshkroi ditën e sotme si më të errëtën në jetën e saj dhe kujtoi me dashuri, mirënjohje dhe krenari jetën që ndanë bashkë.
“Dita e sotme është dita më e errët dhe më e trishtuar e jetës sime. Po ndahem me njeriun me të cilin kalova një çerek shekulli jetë – me të cilin ndamë ëndrra, shpresa dhe sfida të përbashkëta. Kjo është një nga ato ditë që kurrë nuk do të doja të përjetoja, dhe njësoj e ndjej për fëmijët tanë.
Një çerek shekulli më parë, unë, një vajzë e re me pafajësinë dhe intuitën e moshës, rashë në dashuri me Fatosin. Nuk e kuptoja atëherë pse, por tani e di: nuk ishte vetëm Fatosi si person ai që më tërhoqi. Rashë në dashuri me vizionin e tij për një Shqipëri ndryshe – një vend që të largohej nga traditat shekullore të dhunës dhe barbarisë dhe të zgjidhte një rrugë të re, të civilizuar, moderne dhe europiane. Të gjitha këto i gjeta tek Fatosi.”
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë mortore në hollin e Pallatit të Kongreseve, bashkëshortja e ish-kryetarit të PS Fatos Nano, Xhoana Nano, mes lotësh e cilësoi Nanon, si njeriu që e deshi jo vetëm si person por dhe për vizionin e një Shqipërie ndryshe, tjetër nga ajo që po kalonim.
Xhoana tha se Fatosi ishte i vërtetë, ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin.
“Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai nuk bënte asgjë përgjysëm, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Ai kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja ishte një cilësi që jo vetëm nuk e kishte por as nuk donte ta njihte”.
Xhoana Nano: Të dashur miq e dashamirës, I nderuar zoti kryeministër, kjo është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës. Po ndahem me njeriun që kalova një cerek shekulli jetë dhe që më lidhën shumë ëndërra, shpresa e zhgënjime të përbasjhkëta. Është një nga ato ditë që sdo doja ta kaloja. E njëjta ditë është dhe për fëmijët tanë. Këtu e një cerek shekulli më parë, rashë në dashuri me Fatosin, isha shumë e re atëherë nuk e kuptoja pse. Kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person por dhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe, tjetër nga ajo që po kalonim.
Nuk e pata menduar me kaq qartësi atëhërë. Me kalimin e kohës, ditë pas dite, pata fatin të zbuloja te Fatosi vlera e cilësi që nuk jan. e ndjej për detyrë publike e morale që disa cilësi të tijat, me mirënjohje të thellë e them, që i njohim të gjithë, por ja vlen të përmblidhen. Sepse Fatosi ishte i vërtetë, ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin. Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai nuk bënte asgjë përgjysëm, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Ai kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja ishte një cilësi që jo vetëm nuk e kishte por as nuk donte ta njihte.
FOTO / U dashuruan në gjimnaz e jetuan 27 vjet bashkë, Rexhina në lot për ish-burrin e ndjerë

Në Pallatin e Kongreseve këtë të diel po zhvillohen homazhet në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta më 31 tetor në moshën 73-vjeçare.
Ish-bashkëshortja Rexhina Nano dhe bashkëshortja e tij Xhoana Nano janë të pranishme në pritjen ku qytetarët dhe figura të politikës po i japin lamtumirën e fundit liderit historik.
Fatos Nano dhe Rexhina Nano kishin një histori të gjatë dashurie, që nisi që në vitet e gjimnazit, kur të dy ishin të rinj dhe të përfshirë në pasionet e tyre të hershme. Martesa e tyre zgjati 27 vjet dhe solli në jetë dy fëmijë, tashmë të rritur. Pas divorcit të bërë publik në vitin 2001, Nano u martua me Xhoanën në një ceremoni ortodokse. Çifti nuk ka fëmijë të përbashkët, përveç 24-vjeçarit Klajd Nano, i cili është fëmijë i Xhoanës nga martesa e mëparshme.
Homazhet publike nisën që prej orës 8:30, duke sjellë qytetarë, miq dhe kolegë të Fatos Nanos për të përkujtuar një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare.
“U prehtë i qetë vëllai dhe kryetari im!" Gramoz Ruçi përkujton Fatos Nanon

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përkujtoi sot figurën e Fatos Nanos, duke e cilësuar atë si një qytetar ekselent dhe politikan të klasit të parë. Ruçi theksoi se Nano do të mbahet mend jo vetëm për veprimet e tij politike, por edhe për integritetin dhe vizionin e tij për forcën politike që drejtoi.
Ruçi rikujtoi se Fatos Nano dha dorëheqje të parevokueshme pas humbjes së zgjedhjeve të para dhe të fundit, duke lënë të lirë Partinë Socialiste dhe duke mundësuar që gjenerata e re të marrë drejtimin e forcës politike. Sipas Ruçit, ky akt historik tregon vizionin e Nanos për të krijuar një parti të fortë dhe të hapur për liderët e rinj.
Ruçi vuri në dukje se Nano e realizoi tezën e tij për krijimin e shtetit gjatë kohës që ishte në pushtet dhe hapte rrugën për dy liderët e rinj të PS që të bëheshin kryeministra. Ai gjithashtu u përball me katër vite persekutim, një periudhë që sipas Ruçit, e bën figurën e Nanos edhe më të veçantë në historinë politike të Shqipërisë.
Socialisti Gramoz Ruçi përfundoi duke theksuar se Nanon do ta mbajnë mend si liderin e parë që transformoi dhe reformoi Partinë Socialiste, duke e drejtuar atë për më shumë se 14 vite dhe duke lënë një shenjë të qëndrueshme në historinë politike të vendit.
“U prehtë i qetë vëllai dhe kryetari im Fatos Nano”, përfundoi Ruçi.
“Lamtumirë Fatos” / Kurora simbolike e Edi dhe Linda Ramës në nderim të ish-kryeministrit
Në ceremoninë shtetërore të lamtumirës për ish-kryeministrin Fatos Nano, një detaj që nuk kaloi pa vëmendje ishte kurora me lule e vendosur nga kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda.
Në mesin e shumë kurorave që mbushnin hollin e Pallatit të Kongreseve, ajo mbante një mbishkrim të shkurtër, por plot kuptim:
“Lamtumirë Fatos – Edi dhe Linda.”
Ngjyrat e kuq e zi të shiritit përkujtimor, të kombinuara me lule të bardha, përçuan një mesazh respekti dhe mirënjohjeje për liderin historik të së majtës, njeriun që dikur i hapi rrugën Edi Ramës drejt skenës politike.
Kurora e Ramës u vendos mes homazheve shtetërore që po zhvillohen gjatë ditës së sotme, ku qindra qytetarë, miq dhe figura politike po i japin lamtumirën e fundit Fatos Nanos, tri herë kryeministër dhe reformator i Partisë Socialiste.
Gjest i thjeshtë, por me peshë simbolike, kurora e Edi dhe Linda Ramës u lexua nga të pranishmit si një shenjë mirënjohjeje të heshtur ndaj një figure që ndikoi në historinë e së majtës shqiptare.
VIDEO e FOTO / Xhoana Nano në lot për bashkëshortin e saj: Homazhet emocionuese për Fatos Nanon

Prej mëngjesit të së dielës, Pallati i Kongreseve është mbushur me qytetarë, politikanë dhe figura publike që nderojnë ish-kryeministrin Fatos Nano. Ndër momentet më prekëse të ceremonisë janë ato ku bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, nuk ka mundur të fshehë dhimbjen, duke qarë për humbjen e partnerit të saj.

Në krah të saj qëndron djali i Nanos, Sokoli, duke e mbështetur dhe ndarë këtë moment të dhimbshëm familjar. Xhoana dhe Fatos Nano u martuan në vitin 2002, një vit pas përfundimit të martesës së tij të parë me Rexhinën, me të cilën ai ka dy fëmijë.
Emocioni i Xhoanës kanë tërhequr vëmendjen e të pranishmëve, duke rikujtuar publikisht dimensionin njerëzor dhe familjar të jetës së Fatos Nanos, përtej rolit të tij politik.

Viktor Agolli zbulon pengun e Fatos Nanos: Njeriu që nuk u hakmor kurrë

Në homazhet në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, Viktor Agolli, ish-truproja dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, foli para gazetarëve ku theksoi një nga pengjet e mëdha të jetës politike të Nano-s.
“Fatos Nano ishte një njeri që kurrë nuk u hakmor, edhe kur politika ndaj tij ishte e padrejtë. Ai do mbahet mend nga njerëzit e thjeshtë për atë që bëri: ndoqi parimet e veta për një Shqipëri të demokratizuar dhe tolerante. Por një peng i madh i mbeti – që nuk e kthyen më kurrë në politikë, një mundësi që partia e majtë nuk e përballoi, edhe pse kishte mbështetje ndërkombëtare. Kishte miq si Bill Clinton dhe shumë të tjerë. Ishte burrë shteti”, tha Agolli.
Ai shtoi edhe anën më të ndërlikuar të pengut: “Normal, presidenti. Duket qartë kush nuk e lejoi: PD-ja dhe pjesë e majtë nuk donin që Fatos Nano të ishte president”.
Agolli përmendi me respekt integritetin e Nano-s, si njeriun që respektoi gjithmonë parimet e tij, duke lënë një trashëgimi të fuqishme politike dhe morale, por edhe një peng që nuk u realizua.
Xhoana Nano e Edi Rama fjalën e lamtumirës së madhe për Fatos Nanon

Shqipëria i jep sot lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano, një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit politik dhe themelues i Partisë Socialiste moderne.
Në nderim të tij, e diela, 2 nëntor, është shpallur ditë zie kombëtare, ndërsa në Pallatin e Kongreseve ka nisur ceremonia funebre shtetërore.
Trupi i Fatos Nanos është vendosur në hollin e Pallatit që prej orës 08:30 të mëngjesit, ku kanë nisur homazhet publike nga qytetarë, personalitete të politikës dhe trupi diplomatik.
Mes pjesëmarrësve ndodhen familjarët e tij, përfshirë ish-bashkëshorten Rexhina Nano, e cila do të jetë pjesë e homazheve në momentin e mbërritjes së trupit, por pa qëndruar në ceremoninë përfundimtare.
Në pjesën e dytë të ceremonisë pritet momenti më solemn, kur do të mbajnë fjalën e tyre kryeministri Edi Rama, pasuesi politik i Nanos në drejtimin e PS-së, si dhe bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, e cila do të përcjellë një mesazh personal e emocional për njeriun që qëndroi në qendër të jetës së saj.
Pas tyre, pritet të flasë edhe djali i çiftit, Sokoli, për t’u dhënë të pranishmëve lamtumirën e fundit në emër të familjes.
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet në mënyrë private familjare.
Fatos Nano, i cili ndërroi jetë mesditën e së premtes, 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, vuante prej kohësh nga probleme kronike respiratore.
Tre herë kryeministër i Shqipërisë, ai do të mbahet mend si lideri që reformoi të majtën shqiptare, duke e kthyer Partinë Socialiste në një forcë moderne, proevropiane dhe të hapur ndaj ndryshimit.
“E harruam ‘97-ën falë tij”/ Socialistët Malaj dhe Braçe kujtojnë Fatos Nanon

Në ceremoninë e homazheve publike në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, bashkëpunëtorë të afërt dhe figura të njohura të Partisë Socialiste kanë ndarë vlerësime për kontributin e tij politik dhe njerëzor.
Arben Malaj, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Nanos, u shpreh për mediat se ish-kryeministri ishte një njeri mendjehapur, liberal dhe i përkushtuar ndaj paqes sociale në një periudhë të vështirë për vendin.
“E gjithë qeverisja e tij ishte fokusuar në këtë drejtim, për të gjetur hapësira që të harrohej ‘97-a dhe të ndërtohej paqe duke garantuar përfaqësim në institucionet kushtetuese edhe për opozitën. Është një model i veçantë që shpresoj të shërbejë si inspirim,” – tha Malaj.
Ndërkohë, deputeti socialist Erion Braçe theksoi rolin historik të Fatos Nanos në reformimin e Partisë së Punës dhe krijimin e Partisë Socialiste moderne, që sipas tij u hap për të gjithë dhe u zhvillua mbi lirinë e individit.
“Ishim në rrënojat e Partisë së Punës dhe prej saj doli një forcë e re, ku të gjithë patën mundësi të rriteshin dhe të zhvilloheshin. Nano u dha njerëzve lirinë për t’u bërë më të mirë, dhe bashkë me ta, një parti më të mirë se ajo që trashëguam,” – u shpreh Braçe.
Homazhet për Fatos Nanon, një nga figurat themeluese dhe lideri historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, vijojnë në Tiranë me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, zyrtarëve dhe personaliteteve të jetës publike që kanë ardhur për të nderuar kujtimin e tij. / VERSUS
Xhoana dhe Rexhina shfaqën së bashku në ceremoninë e homazheve për ish-kryeministrin Fatos Nano
Në Pallatin e Kongreseve kanë nisur homazhet për liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Të pranishëm janë familjarë të Fatos Nanos, mes tyre bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina.
Homazhet publike kanë nisur që prej orës 8:30. Ish-kryeministri Fatos Nano u nda nga jeta më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare.

Nis ceremonia e homazheve për Fatos Nanon në Pallatin e Kongreseve, vendi në ditë zie kombëtare

Në Pallatin e Kongreseve ka mbërritur arkëmorti me trupin e pajetë të liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Në ceremoninë e homazheve janë të pranishëm familjarët e tij bashkëshortja Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina si dhe shumë të afërm e miq. Homazhet publike kanë nisur që në orën 08:30.
Në orarin 11:15–11:45 do të zhvillohen homazhet zyrtare nga personalitetet shtetërore dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Më pas, një pjesëtar i familjes do të mbajë një fjalë përshëndetëse, ndërsa kryeministri Edi Rama pasuesi i Fatos Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste do të mbajë fjalimin e tij në nder të figurës së ish-kryeministrit. Në ceremoni marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndër ta kryeministri Albin Kurti dhe lideri Ali Ahmeti.
Në nderim të kontributit të tij në jetën politike e publike të vendit, data 2 nëntor është shpallur ditë zie kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Ceremonia shtetërore do të përfundojë në orën 12:05, kur trupi i Fatos Nanos do të niset me nderime nga Pallati i Kongreseve drejt banesës së fundit në varrezat e Sharrës. Familja ka kërkuar që shërbesa fetare, sipas ritit ortodoks, të zhvillohet në privatësi në banesën e tyre, në respekt të dëshirës dhe besimit të tij fetar.
