Një qytetar belg përfundoi në burg nga një ngatërresë e rëndë – Fotografia e tij në listën e të shumëkërkuarve
Një burrë nga Deurne, Antwerp, ka kaluar një javë në burg pasi fotografia e tij përfundoi gabimisht në listën e personave më të kërkuar në Mbretëri.
Sipas raportimeve nga Gazet van Antwerpen dhe Het Nieuwsblad, ai ishte arrestuar, ndërsa po përpiqej të sqaronte keqkuptimin pranë policisë dhe më pas u dërgua në qendrën e paraburgimit Begijnenstraat në Antwerp.
Sipas deklarimeve të tij, fajtor për këtë ngatërresë është Jeton Begesi, një person i dënuar për rrëmbim, mbajtje të paligjshme dhe përdhunim, i cili dyshohet se është prezantuar me emrin dhe identitetin e tij në momentin e ndalimit nga autoritetet – pasi nuk kishte dokument identifikimi me vete.
Qytetari belg nga Antwerp është arrestuar dy herë deri tani, për shkak se është cilësuar ndërkombëtarisht nën emrin e rremë të Jeton Begesit, që ky i fundit kishte përdorur si pseudonim.
Gjatë arrestimit të tij të fundit, policia realizoi një foto zyrtare (judiciale), e cila më pas përfundoi gabimisht në listën e të shumëkërkuarve, duke e përkeqësuar edhe më tej situatën, raportojnë mediat flamande.
Ai dhe avokati i tij janë tani duke konsideruar të kërkojnë dëmshpërblim, për dëmin e madh moral dhe personal që i është shkaktuar nga kjo ngatërresë serioze e autoriteteve.







