Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për krimet zgjedhore, përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 11 majit. Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se integriteti i procesit elektoral është vënë seriozisht në pikëpyetje dhe kërkoi ndëshkimin e autorëve të manipulimeve.
Berisha iu referua një zhvillimi të fundit nga Partia Popullore Europiane (PPE), ku në kongresin e mbajtur në Valencia u miratua rezoluta emergjente nr. 4, kushtuar Shqipërisë. “Rezoluta u miratua unanimisht nga 82 partitë e qendrës së djathtë në Europë, të cilat drejtojnë institucionet më të larta të BE-së dhe shumë qeveri të vendeve anëtare,” tha ai.
Sipas Berishës, përmes kësaj rezolute, Edi Rama “u damkos si armik i votës së lirë në Europë” dhe u krahasua me liderë autoritarë si Alexander Lukashenko. Ai theksoi se PPE i ka bërë thirrje BE-së, OSBE-së dhe Këshillit të Europës që të ndërhyjnë për të ndalur abuzimet me pushtetin dhe manipulimin e zgjedhjeve.
“Prokuroria duhet të veprojë tani, jo pas zgjedhjeve. Të gjitha akuzat për krime zgjedhore duhet të hetohen dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë,” theksoi Berisha.
Ai shtoi gjithashtu se PPE ka kërkuar nga OSBE-ODIHR të dërgojë vëzhgues afatgjatë në zonat e identifikuara si me risk të lartë, në mënyrë që çdo abuzim të dokumentohet në raportin final të misionit vëzhgues. /Versus.al/








