POLITIKË /

“Integrimi kërkon reforma reale dhe sundim të ligjit”, Tabaku dhe Bylykbashi takim me gazetarë nga vendet e BE-së

Tabaku theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugën e integrimit në Bashkimi Europian, por sipas saj, sfida kryesore nuk është vetëm përcaktimi i afateve të anëtarësimit, por realizimi i reformave të thella dhe transformimi real i institucioneve

Shkruar nga Versus

“Integrimi kërkon reforma reale dhe sundim të ligjit”,

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, së bashku me nënkryetarin e PD-së Oerd Bylykbashi, zhvilluan një takim me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, ku u diskutua procesi i integrimit të Shqipërisë dhe zhvillimet politike në vend, përfshirë protestat e fundit qytetare.

Gjatë takimit, Tabaku theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugën e integrimit në Bashkimi Europian, por sipas saj, sfida kryesore nuk është vetëm përcaktimi i afateve të anëtarësimit, por realizimi i reformave të thella dhe transformimi real i institucioneve.

Ajo u shpreh se debati për integrimin duhet të fokusohet te përmbushja e standardeve europiane dhe forcimi i shtetit të së drejtës, duke shtuar se opozita mbështet çdo nismë ligjore që i shërben këtij procesi.

Duke folur për situatën politike dhe ekonomike në vend, Tabaku deklaroi se Shqipëria vijon të përballet me sfida në funksionimin e plotë të institucioneve dhe sundimit të ligjit, duke pretenduar se ndikimi i interesave të ngushta krijon pabarazi dhe ul besimin e qytetarëve.

Ajo e lidhi pakënaqësinë qytetare dhe protestat e fundit me atë që e quajti efekt të një sistemi të “kapur”, i cili sipas saj ka ndikuar në rritjen e pabarazive sociale dhe ekonomike.

E pyetur nga gazetarë italianë për protestat, Tabaku tha se pjesëmarrësit nuk ndajnë domosdoshmërisht të njëjtat bindje politike, por i bashkon kundërshtimi ndaj qeverisë dhe kryeministrit. Sipas saj, protestat janë një shprehje normale e demokracisë dhe nuk drejtohen kundër opozitës.

Në vijim, ajo ngriti shqetësime edhe për investimet strategjike, zonat e mbrojtura dhe prokurimet publike, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e kontratave publike përqendrohet në një numër të kufizuar kompanish.Versus.al

Poll