POLITIKË /

Ngërçi me Presidentin, Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë Kuvendin pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri, pas mungesës së kuorumit dhe pas kandidaturave të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, duke njoftuar se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Shkruar nga Versus
Ngërçi me Presidentin, Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin, Kosova
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dështimit të ligjvënësve për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Dekreti i Osmit vjen pas përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, pasi Parlamenti nuk arriti kuorumin e nevojshëm për të zhvilluar votimin.

Në një konferencë për media, Osmani theksoi se “kam vendosur të shpërndaj Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja. Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje; këtë e ka krijuar dështimi i Kuvendit. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm.”

Procesi për zgjedhjen e presidentit dështoi të enjten (05.03.) në seancë të jashtëzakonshme për shkak të mungesës së kuorumit. Vetëm 66 deputetë të shumicës parlamentare morën pjesë, ndërsa partitë opozitare bojkotuan tërësisht votimin. Dy kandidatë për president ishin të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se nuk ishte e mundur të vazhdohej votimi pa të paktën 2/3 e deputetëve.

Presidentja Osmani sqaroi gjithashtu se amendamentet për zgjedhjen e presidentit nga populli nuk do të kishin asnjë efekt për pasardhësin e saj dhe nuk lidhen me mundësinë e rikandidimit të saj. “Edhe sikur këto amendamente të miratoheshin mbrëmë, nuk do të ndryshonin asgjë për zgjedhjen e pasardhësit tim. Pas 5 vitesh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli, por tani kjo nuk ka pasur të bëjë fare me rikandidimin tim”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se Kuvendi kishte pasur 23 ditë për të kryer këtë detyrë, por ligjvënësit vendosën të mos e bëjnë, duke e detyruar atë të shpërndajë Parlamentin. Mandati i Osmani përfundon më 4 prill, dhe afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundoi më 5 mars.

Ky vendim i presidentes shënon hapin e parë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, duke reflektuar krizën institucionale pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur udhëheqësin e ri të shtetit.

Versus.al

Poll