
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi nga Fieri se pas projektit të parashikuar në Zvërnec, qeveria po punon për të sjellë një tjetër investim të madh turistik në zonën mes Kavajës dhe Durrësit.
Gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, Rama tha se investimi i ri mund të jetë po aq i madh, ose edhe më i madh se ai i planifikuar në Zvërnec.
“Edhe të tjera investime kaq të mëdha do t’i sjellim Shqipërisë. Shumë shpejt do të shikoni një investim po aq të madh, mbase edhe më të madh, diku mes Kavajës dhe Durrësit”, u shpreh kryeministri.
Rama mbrojti politikën e qeverisë për tërheqjen e investimeve strategjike në turizëm, duke theksuar se Shqipëria nuk duhet të mbetet pas vendeve të rajonit që kanë përfituar nga projekte të mëdha zhvillimi.
Ai krahasoi situatën me vende si Greqi, Kroaci dhe Mal i Zi, duke argumentuar se investimet në turizëm kanë ndikuar në rritjen e të ardhurave, pagave dhe pensioneve në këto vende.
Kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj kritikave për projektet e zhvillimit, duke deklaruar se vendimmarrja politike duhet të bazohet te interesi afatgjatë i vendit dhe se qytetarët shprehin vullnetin e tyre përmes votës.
Në fjalën e tij, Rama iu referua edhe komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale, ku janë ngritur shqetësime për çështje si pagat, pensionet, shërbimet shëndetësore, sigurimet dhe rritja e çmimeve, tema që vijojnë të dominojnë debatin publik në vend.
Kryeministri u përgjigj duke thënë se askush nuk e mohon nevojën për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
“Rrogat duhet të jenë më të larta. Ne e kemi nisur me 320 euro dhe paga mesatare sot është 912 euro. E kemi nisur me rreth 360 euro pagën mesatare në sektorin publik dhe sot është 1080 euro. Nuk është mjaftueshëm, duhet të rriten më tej”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se edhe pensionet, megjithëse janë pjesë e një skeme që është në përmirësim, do të rriten, ashtu si edhe shërbimet spitalore dhe fusha të tjera të jetës publike. Sipas tij, çështja nuk është nëse duhet të rriten, por si do të arrihet kjo rritje.
“Pyetja është si do të rriten. Nëse ti thua nuk i dua të huajt, nuk i dua investitorët, nuk i dua këta, atëherë si do të rriten rrogat? Si do të zhvillohet ekonomia?”, tha Rama, duke theksuar rëndësinë e investimeve dhe zhvillimit ekonomik.Versus.al

