POLITIKË /

“Sazanin nuk do ta shesim”, Rama konfirmon para gazetarëve: Po negociojmë prej 2 vitesh për një marrëveshje

Gjatë një prononcimi për gazetarët evropianë, Rama theksoi se Sazani mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë dhe se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga investitorët për blerjen e tij.

Shkruar nga Versus

“Sazanin nuk do ta shesim”, Rama konfirmon para gazetarëve: Po

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Ishulli i Sazanit nuk është në shitje dhe se qeveria shqiptare po negocion prej dy vitesh një marrëveshje investimi, e cila nuk përfshin transferimin e pronësisë së ishullit.

Gjatë një prononcimi për gazetarët evropianë, Rama theksoi se Sazani mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë dhe se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga investitorët për blerjen e tij.

“S’kemi marrëveshje për ishullin e Sazanit sepse po negociojmë prej dy vitesh. Kurrë s’kanë kërkuar ta blejnë ishullin. Edhe po të kërkonin, kurrë nuk na ka shkuar nëpër mend alternativa për të shitur ishullin. Ishulli u përket shqiptarëve, Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Sipas kreut të qeverisë, negociatat lidhen me krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët mes investitorit dhe shtetit shqiptar. Ai sqaroi se investitori mund të ketë pronësi mbi objektet që do të ndërtohen në zonë, por jo mbi vetë territorin e ishullit.

Rama theksoi se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare dhe se nuk është paraqitur asnjë projekt konkret apo skicë zhvillimi për Sazanin, pikërisht për shkak se procesi i negociatave vazhdon.

Kryeministri reagoi gjithashtu ndaj publikimeve dhe imazheve të shpërndara në media dhe rrjetet sociale, të cilat paraqesin skenarë të ndryshëm zhvillimi në ishull, përfshirë ndërtime të lidhura me markën Trump. Ai i cilësoi këto pretendime si të pabazuara dhe theksoi se asnjë projekt zyrtar nuk është miratuar deri më tani.

Sipas Ramës, marrëveshja që po negociohet synon të sjellë përfitime për shtetin shqiptar, ndërsa pronësia e Ishullit të Sazanit do të mbetet e pandryshuar.

Edi Rama: Ishulli i Sazanit nuk ka nevojë për një projekt pikë së pari, ka nevojë për një marrëveshje. S’kemi marrëveshje për ishullin e Sazanit sepse po negociojmë prej 2 vitesh. Kurrë s’kanë kërkuar ta blejnë ishullin. Edhe po të kërkonin, kurrë nuk na ka shkuar ndonjëherë nëpër mend alternativa për të shitur ishullin.

Marrëveshja ka të bëjë me sipërmarrjen e përbashkët mes investuesit dhe Shqipërisë. Ishulli u përket shqiptarëve, Republikës së Shqipërisë. Aty ku do të ndërtohet, do të ketë pronësi të objektit.

Po negociojmë. E kuptoni pse jam... si ta them... nuk jam as i zemëruar, i frustruar deri në kockë sepse sheh gjithë këto foto, ishulli i Sazanit i ndërtuar me kulla Trump, këtej thuhet turp t’i vijë Edi Ramës! Është krejt e kundërta, po negociojmë. Shteti shqiptar do të fitojë prej kësaj. Për ishullin nuk kanë ende asnjë skicë të paraqitur sepse nuk kanë asnjë marrëveshje.Versus.al

Poll