Dibër- Në orët e mesnatës dy automjete janë bllokuar nga anëtarë të Partisë Demokratike në qendër të Maqellarës nën dyshimin se po kryhej veprimtaria kriminale e shitblerjes së votës.
Pas njoftimit nga strukturat e PD, policia dhe prokuroria e Dibrës kanë mbërritur në vendngjarje. Brenda makinave janë katër persona, të cilëve nuk u lejohet të zbresin nga makina. Njëra prej makinave është e ish-kryebashkiakut të Matit Agron Malaj i cili dha dorëheqjen për të kandiduar si deputet në këto zgjedhje.
Ndërkaq, automjeti tjetër raportohet të jetë i një biznesmeni, të paktën siç pretendon Partia Demokratike.
Megjithatë fjalën e fundit e ka prokurori i posaçëm i SPAK, Elvin Gjokaj i cili do të vendosë mbi veprimet e mëtejshme për këtë ngjarje ku dyshohet për krim zgjedhor. Versus.al







