Unpublished /

EMRI/ Nga përgjimet te arrestimet, kush është shqiptari i akuzuar si shtylla e trafikut të kokainës në Foggia

Shkruar nga Versus
EMRI/ Nga përgjimet te arrestimet, kush është shqiptari i akuzuar
Shaban Shima dhe Mimmo Falco në një takim midis tyre në Foggia

“Pasquale, njerëzit e Trisciuoglio… ajo që po qarkullon në Cerignola është vërtet e neveritshme”. Nuk ishte aspak mburrje, sipas hetuesve dhe prokurorëve italianë, ajo që thoshte Shaban Shima, 36 vjeç, shqiptar i vendosur në Foggia, i përgjuar teksa në një klub të qytetit fliste për pazare droge me Rocco Soldo, dhëndri i bos-it mafioz Raffaele Tolonese, i njohur si “Rafanill”, kreu i klanit Trisciuoglio-Tolonese dhe i vetmi nga kupola e mafies lokale që ndodhet aktualisht i lirë.

Biseda, e kapur nga përgjimet e karabinierëve në ambientet e klubit “La Banda”, në sheshin Padre Pio në Foggia – një vend që sipas hetuesve lidhet drejtpërdrejt me Soldo dhe Tolonese – sipas akuzës dokumenton nivelin e lartë të trafikut të drogës dhe marrëdhëniet me figura të rëndësishme të krimit të organizuar.

Operacioni dhe arrestimet

Nga këto përgjime ka marrë formë hetimi që çoi në operacionin e madh të karabinierëve, me 24 persona të arrestuar dhe një zbulim të pazakontë: një ujk i mbajtur i mbyllur në kafaz në një zonë rurale, i cili u lirua dhe iu dorëzua një qendre për rehabilitimin e faunës së egër.

Sipas urdhrit të masës së sigurisë, Shaban Shima furnizonte me kokainë dhe hashash shpërndarës të afërt me “Società Foggiana”, si edhe grupe kriminale aktive në Parma dhe qytete të tjera italiane. Ai dyshohet se ishte në gjendje të hidhte në treg ngarkesa nga 5 deri në 10 kilogramë drogë për herë, me një volum prej rreth 40 mijë doza në muaj dhe fitime që arrinin deri në 200 mijë euro.

Hetimi i DDA Bari

Hetimi nisi nga aktiviteti i DDA-së së Barit ndaj Anna Tolonese, motra e Raffaele Tolonese, e arrestuar në shtator 2024 për fajde. Brenda pak kohe, hetuesit siguruan prova të forta ndaj një rrjeti të gjerë kriminal që vepronte në Foggia dhe provincë, në Emilia-Romagna, Rieti dhe Molise e poshtme.

Në aktivitetet kriminale dyshohet se janë përfshirë shtetas italianë, shqiptarë, gjeorgjianë dhe rumunë, banues në Foggia, San Giovanni Rotondo, Portocannone, Ostuni, Rieti dhe Langhirano (Parma).

Masat e sigurisë

Gjyqtarja Marialuisa Bencivenga, duke pranuar kërkesat e prokurorit Alessio Marangelli, ka caktuar burg për 19 persona dhe arrest shtëpie për 5 të tjerë. Në total, të hetuarit janë 35 persona. Më 7 janar priten marrjet në pyetje të 9 të tjerëve, pas së cilës gjykata do të vendosë për masa të reja të mundshme.

Mes të arrestuarve janë edhe Shaban Shima, tashmë i paraburgosur, si dhe disa shtetas shqiptarë, rumunë, një grua gjeorgjiane dhe një moldave.

Lidhje me klanet mafioze
Në dosje dalin edhe referenca për klanin e fuqishëm Moretti-Pellegrino-Lanza dhe aleatët Gaeta të Orta Nova. Në përgjime, Shima përmend kontakte me familjarë të figurave kyçe të mafies foggiane, duke dëshmuar ndërthurjen e trafikut të drogës me strukturat mafioze lokale.

“Motori” i trafikut të kokainës

Në 474 faqet e vendimit, gjyqtarja e përshkruan Shiman si “motori shtytës i një trafiku të gjerë kokaine me bazë operative në Foggia”. Droga blihej me shumicë dhe shitej me çmime të larta, përmes një organizimi të strukturuar që përfshinte magazina të fshehta, vende paketimi dhe kontabilitet të detajuar.

Sipas karabinierëve, grupi përdorte makina me dopio fund, telefona të koduar, si dhe kanale të konsoliduara për transferimin e parave drejt Shqipërisë. Në janar u sekuestruan 40 mijë euro cash, ndërsa një prej ngarkesave të kapura – 2 kilogramë kokainë nga Bolivia – rezultoi me pastërti 96%.

Një trafik i organizuar dhe i fuqishëm, që sipas autoriteteve italiane furnizonte tregun e drogës shumë përtej kufijve të provincës së Foggias.Immediato.net-Versus.al

Poll