ZANAT /

Historike / Ermonela Jaho nderohet në Paris me dekoratën “Kalorëse e Urdhrit të Artit dhe Letërsisë”

Sopranoja shqiptare u vlerësua nga qeveria franceze pas koncertit me orkestrën “Lamoureux” në sallën “Gaveau”, duke u cilësuar si një nga zërat më të rëndësishëm të operës bashkëkohore.

Shkruar nga Versus

Historike / Ermonela Jaho nderohet në Paris me dekoratën

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho është nderuar sot në Paris gjatë një koncerti të mbajtur me orkestrën “Lamoureux” në sallën prestigjioze “Gaveau”.

Jaho, e konsideruar si një nga zërat më të suksesshëm të operës në teatrot më të mëdha evropiane dhe botërore, ka në karrierën e saj një sërë çmimesh dhe vlerësimesh prestigjioze ndërkombëtare, duke u afirmuar si një nga figurat më të rëndësishme të skenës lirike bashkëkohore.

Historike / Ermonela Jaho nderohet në Paris me dekoratën

Në përfundim të koncertit, qeveria franceze i akordoi asaj dekoratën e lartë “Kalorëse e Urdhrit të Artit dhe Letërsisë”, një nga vlerësimet më të rëndësishme kulturore që jep Franca për personalitete të artit dhe kulturës.

“Respekt dhe vlerësim i shtetit dhe publikut francez dhe raportit që ka Franca dhe Shqipëria së bashku. Ishte një vlerësim jo vetëm për Ermonelën si artiste, por edhe si artiste shqiptare, që këndon ngjyrat e shpirtit shqiptar në skenë. Kur këndon nga zemra, nuk ka gjuhë dhe nuk të ndal askush,” u shpreh ajo pas nderimit.

Historike / Ermonela Jaho nderohet në Paris me dekoratën

Ermonela Jaho është një nga sopranot më të vlerësuara dhe më të njohura të skenës operistike botërore, e cilësuar nga kritika ndërkombëtare si një nga interpretueset më të jashtëzakonshme të kohës së sotme, falë intensitetit emocional dhe identifikimit të rrallë me rolet që interpreton.

E lindur në Shqipëri, ajo nisi studimet në Konservatorin e Tiranës dhe më pas i vijoi në Akademinë “Santa Cecilia” në Romë. Pas përfundimit të studimeve, Jaho fitoi disa konkurse ndërkombëtare që i hapën rrugën një karriere globale në skenat më prestigjioze të operës.

Historike / Ermonela Jaho nderohet në Paris me dekoratën

Gjatë karrierës së saj, ajo është nderuar me titullin “Chevalier de l’Ordre des Arts et des Lettres” nga Franca, si vlerësim për kontributin e saj në art dhe kulturë në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu është shpallur “Artistja e Vitit” në International Classical Music Awards 2023, “Sopranoja më e mirë femër” në Oper! Awards 2024 në Gjermani, dhe “Artistja më e mirë e huaj” në Opera XXI në Spanjë në vitin 2024.

Ajo është fituese e çmimit ICMA për muzikë vokale me albumin “Anima Rara”, si dhe e Readers’ Award në International Opera Awards. Jaho është gjithashtu Ambasadore e Opera Rara dhe Opera for Peace, si dhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ajo mbështet gjithashtu kauza sociale dhe është ambasadore e YWCA Albania.

Repertori i saj përfshin disa nga rolet më ikonike të operës botërore, si Violetta, Cio-Cio-San, Suor Angelica, Adriana Lecouvreur, Anna Bolena, Thaïs dhe Luisa Miller. Kritika e ka vlerësuar për aftësinë e saj për të sjellë në skenë një intensitet të rrallë dramatik dhe emocional.

Historike / Ermonela Jaho nderohet në Paris me dekoratën

Ajo ka interpretuar në skenat më të mëdha të botës, përfshirë Royal Opera House në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Teatro alla Scala në Milano, Opéra National de Paris, Wiener Staatsoper, Bayerische Staatsoper, Teatro Real në Madrid, Gran Teatre del Liceu në Barcelonë, Teatro Colón në Buenos Aires dhe Arena di Verona, ndër të tjera.

Shtypi ndërkombëtar e ka përshkruar si “Fiery angel… the world’s most acclaimed soprano” (The Economist), ndërsa Financial Times shkruan se “ajo derdh zemër dhe shpirt në interpretim”, dhe The Independent e cilëson si “Madama Butterfly më e mirë e Londrës në vite”. Daily Telegraph e ka quajtur “një fenomen të pandalshëm”.

Në sezonin 2024–2025, Jaho ka në axhendë role kryesore si Antonia në “Les Contes d’Hoffmann” në Royal Opera House, Maria Stuarda në Staatsoper Hamburg, Manon Lescaut në Bayerische Staatsoper, Desdemona në ABAO Bilbao, dhe Iris në Teatro Real Madrid, si dhe koncerte recital në Barcelonë, Paris, Londër, Orange dhe Aix-en-Provence.

Në të njëjtën periudhë, ajo do të regjistrojë për Opera Rara albumin “La Rondine” në versionin origjinal të Puccinit, si dhe dy albume me këngë franceze dhe italiane të Donizettit.

Me një karrierë që shtrihet në dekada dhe në skenat më të mëdha të botës, Ermonela Jaho mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të operës bashkëkohore dhe një ambasadore e spikatur e artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

 

Poll