
Kur ka kaluar 1 javë nga atentati i bujshëm në Rinas ku u vra Gilmando Dani, personazh i njohur i botës së krimit dhe miku i tij Muçi Shaljani, agjent i AMP, ende nuk ka një reagim të fortë nga ministria e Brendshme.
Ajo çfarë ngjalli habi ishte fakti sesi një agjent i Mbikëqyrjes Policore shoqëronte Danin, i cili njihet si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, një emër i njohur në botën e krimit. Hetimet zbuluan se Muçi Shaljani ishte punësuar në AMP në shtator të këtij viti me anë të dokumenteve të falsifikuara, krim që dyshohet se u krye nga 2 punonjësit e tjerë, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi. Këta të fundit u arrestuan, por u liruan më 15 nëntor pasi gjykata e vlerësoi arrestimin e tyre si të paligjshëm.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës për informacion nga Versus.al drejtuar ministrisë së Brendshme lidhur me instrumentet e kontrollit të AMP-së dhe masat e marra që krime të tilla të mos përsëriten, institucioni ka zgjedhur të heshtë.
Pikëpyetjet mbi atentatin janë të shumta për vetë faktin se ekzekutimi me breshëri automatiku u krye në zonën që supozohej të ishte më e sigurta në Shqipëri. Komentet e shumta rreth ngjarjes, nënvizojnë se në vendin ku autorët u pozicionuan për të hapur zjarr, qëndron gjithmonë një patrullë policie dhe si për rastësi, të martën nuk pati as edhe një polic në vendngjarje.
Akoma më të dyshimta bëhen rrethanat e atentatit kur kamerat e sigurisë në rrugën nga e cila u larguan autorët ishin të fikura për shkak se nuk kishte energji elektrike. Deri më tani, është shpallur në kërkim vetëm Ylli Zalla, 48 vjeçari në Fushë Krujë i cili dyshohet se u ka siguruar autorëve armët e krimit. Versus.al


