Detaje të tjera janë zbuluar nga operacioni që Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar së fundmi në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese italiane, franceze dhe angleze.
Mësohet se janë lëshuar 24 masa sigurie dhe janë sekuestruar 3 milionë euro cash. Operacioni është shtrirë në Itali e Shqipëri ku grupi kishte degën operative dhe bazën e veprimeve. 10 persona janë arrestuar në flagrancë në Breshia. Në Shqipëri me urdhër të SPAK është arrestuar Igli Haxhiaj, agjenti i antiterrorit i cili dekonspironte operacionet dhe bashkëpunonte me grupin që drejtohej nga klane shqiptare.
Bëhet fjalë për kalimin e 1.3 ton kilogramëve kokainë e heroinë nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës duke patur si bazë kryesore Shqipërinë. Droga dërgohej në Itali kryesisht me kamionë, shoferët e të cilëve ishin bashkëpunëtorë të grupit kriminal. Por, ka raste edhe kur droga transportohej me autobusë. Ajo çfarë u zbulua gjatë operacionit ishte se edhe shënimet për ngarkesat e drogës bëheshin me dorë nëpër fletore ku emërtoheshin vendet se ku do të magazinohej lënda narkotike.
Në total po hetohen 49 persona, 46 prej të cilëve janë shqiptarë. Ngarkesa me 130 kg kokainë e heroinë është sekuestruar dhe vlera e saj dyshohet se i kalon 12 milionë euro. Versus.al
