AKTUALITET /

20 mijë euro për të përshpejtuar ekstradimin e një të dënuari, SPAK çon për gjykim ish-gardistin dhe 2 të tjerë

Shkruar nga Versus

20 mijë euro për të përshpejtuar ekstradimin e një

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të tre personave të cilët akuzohen për veprën penale ‘’Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’’.

Bëhet fjalë për ish-gardistin Zef Mali, bashkëpunëtorin e tij Kreshnik Domi dhe Jemine Çokun. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Zef Mali në bashkëpunim me Domin, i kanë marrë të pandehurës tjetër 20 mijë euro me premtimin se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave të ekstradimit të vëllait të saj Kujtim Çeluki nga Turqia drejt Shqipërisë.

Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij. Po ashtu u zbulua se procedurat ligjore për Çelikun kishin nisur, por një ekstradim i tillë ende nuk është kryer. 

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2025,në ngarkim të të pandehurve:

Zef Mali, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.

Kreshnik Domi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal;

Jemine Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal nisën mbi bazën e akteve që u referuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Tiranë.

Përmes veprimeve hetimore, përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe administrimit të provave u dokumentua fakti penal, sipas të cilit i pandehuri, Zef Mali, në bashkëpunim me të pandehurin, Kreshnik Domi i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës, Jemine Çoku një përfitim të parregullt prej 20.000 (njëzet mijë) eurosh.

Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.

Sipas hetimeve, ata  i kanë premtuar dhe siguruar të pandehurës Jemine Çoku se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit.

Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt.

Gjatë hetimit është evidentuar gjithashtu fakti i fillimit të ndjekjes së procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për shtetasin shqiptar, Kujtim Çeliku, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri. Versus.al

Poll