
20 shkolla në Tiranë me kamera inteligjente, zbardhet lista e institucioneve pjesë e projektit “Smart City”
Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka përzgjedhur 20 shkolla publike në Tiranë për t’i pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të projektit Smart City që synon rritjen e sigurisë.
Sipas një dokumenti të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, sistemi i survejimit me kamera dhe inteligjencë artificiale do të implementohet në institucione arsimore të shpërndara në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke përfshirë shkolla 9-vjeçare dhe të mesme.
Dokumenti përmban detaje të plota për secilën shkollë, përfshirë vendndodhjen, numrin e kamerave dhe numrin e nxënësve. Ndër shkollat e përfshira janë “Qemal Stafa”, “Petro Nini Luarasi”, “Kongresi i Manastirit”, “Fan Noli” dhe “Karl Gega”, ku në disa raste numri i kamerave arrin deri në 30 për një institucion.
Projekti po zbatohet nga kompania Presight AI, pjesë e grupit G42, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Megjithatë, iniciativa ka ngjallur debat publik. Ekspertë të të drejtave digjitale kanë ngritur shqetësime për ndikimin në privatësinë e qytetarëve dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për analizimin e të dhënave.
Nga ana tjetër, institucionet shtetërore theksojnë se projekti synon rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e krimit përmes teknologjisë së avancuar.
Fillimisht i parashikuar me një kosto prej 60 milionë dollarësh, projekti “Smart City” është dyfishuar në vlerë, duke u kthyer në një nga investimet më të mëdha në sistemet e survejimit urban në Shqipëri.

