AKTUALITET /

29-vjeçari i zhdukur në Klos prej 6 ditësh, reagon sërish MM: Terren shumë i vështirë për ndërhyrje dhe kërkim

Shkruar nga Versus
29-vjeçari i zhdukur në Klos prej 6 ditësh, reagon sërish
Ardit Beshiri

Ministria e Mbrotjes ka reaguar sërish në lidhje me kërkimet për 29-vjeçarin Ardit Beshiri, i cili ishte duke punuar me ekskavator kur një masiv i madh dheu e zuri poshtë në fabrikën e përpunimit të Kromit.

Në deklaratën e saj Ministria e Mbrotjes shprehet se që nga dita e parë në vendngjarje janë angazhuar struktura dhe mjete të shumta për gjetjen e trupit por sipas vlerësimeve në terren rrëshqitja ka përshkuar një distancë rreth 6 km në një terren shumë të vështirë për ndërhyrje dhe kërkim.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrotjes:

INFORMACION MBI OPERACIONIN E KËRKIMIT TË PERSONIT TË HUMBUR – BASHKIA KLOS

Më datë 03 maj 2025, rreth orës 14:30, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, afër fabrikës së përpunimit të kromit në bashkinë Klos, ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu në një distancë prej rreth 2 km.

Gjatë këtij momenti, në vendngjarje ishte duke punuar me ekskavator një punonjës i një kompanie private që ushtron aktivitet në fushën e shfrytëzimit të mineraleve. Si pasojë e rrëshqitjes, punëtori është zënë dhe mbuluar nga masivi i dheut dhe inerteve.
Forcat e angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit:

Që nga dita e parë, në vendngjarje janë angazhuar struktura dhe mjete të shumta për gjetjen e trupit të punonjësit:

* Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM): 74 punonjës dhe pajisje speciale si kamera termike dhe skaner nëntokësor.

* Forcat e Armatosura: 115 forca nga reparti ushtarak 1013 Burrel, 12 efektivë nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile (BMEC) me pajisje speciale për kërkim-shpëtim në rrënoja, 24 efektivë nga kompania EOD (Batalioni i Xhenios), të pajisur me pajisje për detektimin e metaleve.

* Policia e Shtetit: 24 efektivë.

* Urgjenca Mjekësore: E pranishme në vendngjarje për ndihmën e nevojshme.

* Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore: 6 punonjës.

* Vullnetarë: 535 qytetarë dhe 2 ekskavatorë që janë duke punuar intensivisht në një pjesë të zonës ku ka ndodhur rrëshqitja.

* Strukturat lokale: Të angazhuara janë strukturat e pushtetit vendor të Bashkisë Klos, Bashkisë Mat dhe Prefekturës Dibër.

Mbështetja ndërkombëtare:

Me koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për shkak të kompleksitetit të operacionit dhe vështirësisë së terrenit, më datë 06.05.2025, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, është kërkuar mbështetje nga Kosova me forca të specializuara për kërkim-shpëtim.

Më datë 07.05.2025, një ekip i specializuar i Kërkim-Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 12 efektivë dhe 2 qen të trajnuar për gjetjen e personave nën rrënoja, është bashkuar me operacionin në terren.

Kushtet në terren:

Sipas vlerësimeve në terren dhe diskutimeve me drejtuesit operativë, rrëshqitja ka përshkuar një distancë rreth 6 km në një terren shumë të vështirë për ndërhyrje dhe kërkim. Në një segment të terrenit, rreth 500 metra nga pika e rrëshqitjes pranë fabrikës së pasurimit të kromit, janë futur dy ekskavatorë për të ndihmuar në gërmimin dhe gjetjen e trupit.

Koordinimi i operacionit:

Operacioni po drejtohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat qendrore dhe vendore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat operacionale mbeten të angazhuara maksimalisht deri në përfundimin e operacionit dhe lokalizimin e personit të humbur./Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: