Bankers Petroleum vijon të mos japë asnjë zgjidhje për naftëtarët që kanë nisur grevë urie ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar. Sot në ditën e 9-të të grevës së urisë, Dorjan Dylmishi, Dritan Rrapushi dhe Eduart Selami kanë shfaqur luhatje tensioni.
Selami është transportuar drejt spitalit të Fierit për ndihmë të specializuar. Kreu i Sindikatës Dritan Shahu, ka deklaruar se pavarësisht situatës së krijuar greva do të vazhdojë. Në fushën naftëmbajtëse pasditen e djeshme kanë rënë dhe sirenat e alarmit, çka tregon praninë e avarive. Shahu thotë se vendburimi i naftës po shkon drejt kolapsit ndërsa kompania vijon me papërgjegjshmëri të mos marrë në konsideratë kërkesat e drejta të punonjësve.
Shëndeti i atyre pak punonjësve që janë nê punë po rrezikohet e madje edhe vetë funksionimi i vendburimit ka theksuar kreu i sindikatës ndërsa ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Nga ana tjetër kompania “Bankers Petroleum” vijon me të njëjtat deklarata që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për grevistët. Ndërkohë që drejtuesi i saj Hongping Xiao mbahet në burg për evazion fiskal miliona eurosh ndaj shtetit shqiptar. Versus.al







