
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka marrë në pyetje rreth 10 ditë më parë ish-deputetin socialist Alqi Bllako, në kuadër të hetimeve për aferën e “Eco Parkut” në Porto-Romano, Durrës.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Bllako është paraqitur para prokurorëve në cilësinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUM) dhe është pyetur për më shumë se tre orë.
Ngjarjet lidhen me vitin 2019, kur qeveria vendosi mbylljen e landfill-it të Porto-Romanos dhe nisjen e një projekti për ndërtimin e “Eco Parkut” në të njëjtën zonë.
Në tetor të po atij viti, AKUM shpalli një tender publik për ndërtimin e parkut, por më pas procedura u anulua.
Vetëm pak javë më vonë, qeveria miratoi zhvillimin e tenderit me negocim të drejtpërdrejtë.
Kontrata me vlerë 18.5 milionë euro iu dha bashkimit të operatorëve “De Mare” dhe “Victoria Invest”.
Procedura e përshpejtuar dhe anulimi fillestar kanë ngritur dyshime për shkelje të ligjit dhe favorizim të kompanive fituese.
Aktualisht, Alqi Bllako ndodhet në paraburgimin e Durrësit, i akuzuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale në lidhje me dosjet e inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
Marrja e dëshmisë së tij për “Eco Parkun” është pjesë e një hetimi më të gjerë të SPAK, që pritet të shtrihet edhe te vendimmarrjet politike dhe procedurat administrative të kohës.
Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se në dosje janë administruar dokumente dhe prova të reja, përfshirë komunikime zyrtare dhe vendime qeveritare, të cilat pritet të sqarojnë mënyrën si u shpall, u anulua dhe më pas u rihap tenderi për ndërtimin e parkut./Versus.al







