Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mbrëmjen e djeshme në Itali, ku dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në strada Sanità, në një segment të rrugës provinciale që lidh qytetet Savigliano dhe Vottignasco, në provincën e Cuneos. Mediat italiane bëjnë me dije se kjo rrugë konsiderohet prej vitesh problematike, për shkak të ngushtësisë së saj dhe numrit të lartë të aksidenteve të regjistruara më parë.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip Jeep, në të cilin udhëtonin tre shtetas shqiptarë, është përplasur ballë për ballë me një mjet të rëndë tip Iveco. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa shkaqet dhe dinamika e saktë e aksidentit janë ende objekt hetimi nga autoritetet italiane.
Në mjetin SUV ndodheshin tre të rinj shqiptarë. Dy prej tyre, pak mbi moshën 20 vjeç, kanë humbur jetën në vendngjarje. I riu i tretë, 21 vjeç, i cili ndodhej në sediljen e pasme, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Savigliano-s, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në automjetin e rëndë udhëtonin një burrë dhe një grua. Burri, 58 vjeç, është dërguar në spital në gjendje stabël, ndërsa gruaja, 55 vjeçe, ka pësuar plagë të rënda dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit Santa Croce në Cuneo, në gjendje kritike.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë, ndërsa rruga është mbajtur e mbyllur për qarkullim gjatë operacioneve të ndihmës dhe ekspertizës.

