
Një aksident i rëndë është regjistruar në minierën e bakrit në zonën e Spaçit, ku një minator ka mbetur i plagosur rëndë gjatë punës në galeri. I dëmtuari, i identifikuar me inicialet E.Gj., punonte për kompaninë “Tete Albania Tunnel & Mining”.
Sipas informacioneve paraprake, minatori është dëmtuar gjatë procesit të punës në minierë, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë zbardhur ende. Pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja është bërë publike nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), e cila ka reaguar ashpër duke denoncuar kushtet e rënda dhe të rrezikshme të punës në këtë minierë.
Sipas KSSH, ky aksident nuk është një rast i izoluar, por pasojë e drejtpërdrejtë e shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të sigurisë në punë nga kompania që operon në minierë. Sindikata pretendon se në minierë mungon personeli i kualifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk funksionojnë strukturat e sigurisë dhe nuk kryhet vlerësimi i rrezikut, ndërsa masat parandaluese janë pothuajse inekzistente.
Sipas të njëjtave burime, punëtorët shpesh detyrohen të kryejnë punë jashtë profesionit dhe kapaciteteve të tyre fizike dhe profesionale. Në rastin e fundit, sindikata thotë se minatori i plagosur ishte me profesion sondist, por ishte detyruar të punonte si minator për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
KSSH ka kërkuar një hetim të menjëhershëm dhe transparent për aksidentin, si dhe përgjegjësi konkrete nga kompania dhe institucionet shtetërore që, sipas saj, kanë toleruar prej kohësh shkeljet e sigurisë në këtë minierë.
Kompania “Tete Albania Tunnel & Mining” ka qenë edhe më herët në qendër të kritikave, pasi disa muaj më parë u akuzua nga minatorët për presion, kërcënime dhe largime të padrejta nga puna, pas një greve të organizuar për paga më të larta dhe kushte më të mira pune, gjatë së cilës u pushuan nga puna 61 minatorë.

