Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur autostradën A1 në provincën e Firences këtë të martë, duke shkaktuar tre viktima dhe dy të plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, në segmentin Variante di Valico, brenda tunelit “di Base”, një prej nyjeve kryesore të komunikimit në veri të Italisë.
Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet italiane, një automjet tip veturë, me të cilin udhëtonin pesë persona, është ndalur papritur brenda tunelit për arsye ende të paqarta. Disa automjete pas tij arritën të shmangnin përplasjen, por një kamion që vinte me shpejtësi nuk mundi të ndalte në kohë, duke u përplasur fuqishëm me veturën.
Si pasojë e përplasjes së dhunshme, tre burra humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një grua 35-vjeçare dhe një vajzë e mitur mbetën të plagosura rëndë. Të dyja janë transportuar me helikopter drejt spitaleve më të afërta, në gjendje kritike për jetën.
Ekipet e zjarrfikësve, policisë rrugore dhe shërbimit të emergjencës ndërhynë menjëherë në vendin e aksidentit për të dhënë ndihmën e parë dhe për të menaxhuar situatën. Pavarësisht përpjekjeve, mjekët konstatuan vdekjen e menjëhershme të tre personave në automjetin e përplasur.
Autoritetet italiane kanë nisur një hetim për të sqaruar shkaqet e ndaljes së befasishme të automjetit dhe për të analizuar pamjet nga kamerat e sigurisë të vendosura në tunel, me qëllim rikonstruktimin e plotë të dinamikës së aksidentit.
Për shkak të ngjarjes tragjike, segmenti rrugor midis Firenzuola dhe Badia, në drejtim të Bolonjës, është mbyllur për disa orë, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe devijime në qarkullim. /Versus.al/







