Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur mbrëmjen e së dielës zonën e Drashovicës, në aksin Vlorë–Kotë, duke lënë pas tre viktima.
Ngjarja ndodhi në rrugën e lumit të Vlorës, ku sipas të dhënave paraprake, dy automjete janë përplasur kokë më kokë.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke shkaktuar dëmtime të rënda dhe shkatërrim pothuajse të plotë të pjesës ballore të mjeteve.
Si pasojë, drejtuesit e automjeteve, Adi Alushaj, rreth 30 vjeç, dhe Esat Brahimaj, rreth 40 vjeç, kanë ndërruar jetë në vendngjarje.
Ndërkohë, pasagjeri në njërin prej mjeteve, Andrea Begaj, u transportua në gjendje kritike drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë disa orë më vonë, duke e çuar në tre numrin e viktimave.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, zjarrfikëset dhe ambulancat, të cilat punuan për nxjerrjen e personave nga automjetet dhe menaxhimin e situatës. Qarkullimi në këtë aks u bllokua për disa orë.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa dyshohet paraprakisht se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga shpejtësia e lartë, një parakalim i gabuar ose humbja e kontrollit të njërit prej mjeteve./Versus.al

