
Pacientët që ndjekin trajtimin jetik me kimioterapi në shërbimin Onkologjik janë përballur me një situatë alarmante, pasi në ditët e fundit kanë gjetur dyert e spitalit të mbyllura dhe pa asnjë informacion zyrtar mbi ndërprerjen e shërbimit.
Denoncimi është bërë publik nga gazetari Osman Stafa, i cili ngre alarmin për një problem serioz që prek drejtpërdrejt jetën e pacientëve. Sipas tij, persona që janë paraqitur në datat e përcaktuara për të kryer kimioterapinë nuk kanë mundur të marrin trajtimin, për shkak të ditëve të pushimit.
“Kimioterapia nuk është një procedurë që mund të shtyhet sipas komoditetit të sistemit apo kalendarit të pushimeve. Ajo ndiqet me protokolle të rrepta dhe çdo vonesë mund të ketë pasoja të rënda për pacientin,” shprehet Stafa.
Ai thekson se ndërprerja ka zgjatur disa ditë radhazi: e premtja pushim, fundjava pushim dhe e hëna po ashtu, duke bërë që pacientë të caktuar të humbasin deri në katër ditë trajtim të planifikuar.
“A e ka pushim kanceri këto katër ditë?” – ngre pyetjen gazetari, duke e cilësuar situatën si të papranueshme jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe atë njerëzor.
Sipas tij, në një sistem funksional shëndetësor, shërbime të tilla jetike nuk ndërpriten as në ditë pushimi, por organizohen me staf të reduktuar. Mbi të gjitha, pacientët duhet të informohen paraprakisht dhe jo të paraqiten në spital për t’u përballur me dyer të mbyllura.
Stafa denoncon gjithashtu mungesën totale të komunikimit nga institucionet: “Pacienti nuk njoftohet kur shërbimi nuk funksionon, por vetëm kur mungojnë ilaçet. Kjo praktikë është e papranueshme.”
Denoncimi i gazetarit Osman Stafa:
Çfarë ndodh sot me pacientët e Onkologjikut?
Pacienti paraqitet në spital për të kryer kimioterapinë sipas datës së përcaktuar dhe gjen derën e spitalit të mbyllur.
Kimioterapia nuk është një procedurë që shtyhet sipas komoditetit të sistemit apo pushimeve zyrtare. Ajo ndiqet sipas protokolleve të përcaktuara, me intervale të sakta, sepse çdo vonesë mund të ndikojë në trajtimin e pacientit.
Po, stafi ka të drejtë për pushim.
Por një sistem normal shëndetësor nuk i lë pacientët pa shërbim dhe pa informacion. E premtja e javës së shkuar pushim, e shtuna dhe e diela pushim, e hëna sot po ashtu. Pra një pacient që duhet ta bënte kimion të premten, ka humbur sot 4 ditë. A e ka pushim kanceri këto 4 ditë?
Në vendet ku sistemi funksionon, edhe kur ka ditë pushimi, shërbimet jetike organizohen me personel të reduktuar, por nuk ndërpriten dhe mbi të gjitha, pacienti njoftohet, nuk lihet të vijë kot.
Këtu ndodh e kundërta:
Pacienti nuk njoftohet kur shërbimi nuk funksionon, por njoftohet vetëm kur mungojnë ilaçet. Kjo praktikë është e papranueshme.
Jo vetëm si shërbim shëndetësor, por si trajtim njerëzor.
Sepse në fund të ditës, nuk po flasim për një radhë të zakonshme. Po flasim për njerëz që luftojnë për jetën e tyre. Dhe kjo është një luftë që nuk njeh pushim./Versus.al

