AKTUALITET /

Aksioni në Theth, banorët mes lotëve dhe zemërimit: “Po na shkatërrojnë jetën që ndërtuam me djersë”

Strukturat e vendosura nga banorët janë larguar  njëra pas tjetrës, ndërsa në terren nuk ka munguar tensioni dhe lotët e familjarëve, të cilët ndihen të dëshpëruar dhe të pambrojtur përballë këtij veprimi.

Shkruar nga Versus

Aksioni në Theth, banorët mes lotëve dhe zemërimit:

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka vijuar edhe këtë të martë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit. Strukturat e vendosura nga banorët janë larguar  njëra pas tjetrës, ndërsa në terren nuk ka munguar tensioni dhe lotët e familjarëve, të cilët ndihen të dëshpëruar dhe të pambrojtur përballë këtij veprimi.

Një nga zonjat e pranishme, e përlotur, foli për mediat duke e cilësuar ndërhyrjen si një padrejtësi të madhe ndaj familjes së saj. Ajo tha se gjithçka që kishin ndërtuar, ishte fryt i shumë viteve punë e sakrifice, jo vetëm për fëmijët e saj, por edhe për dy jetimë që ajo kishte rritur me mundime.

“I kemi ndërtuar me mund, me djersë, me duart tona. Kam rritur gjashtë fëmijë dhe dy jetimë me bukë e kripë. Nuk është drejtë që tani të na hidhet poshtë gjithë ajo që kemi ndërtuar në tokën tonë, ku kemi punuar prej 500 vitesh. Kjo është djersa e djemve tanë, djersa jonë. Nuk kemi ku të shkojmë me 25 vetë në familje. Jemi të gatshëm të plotësojmë çdo kërkesë të shtetit, por mos të na shkatërrojnë jetën në këtë mënyrë,” – u shpreh zonja, mes lotësh.

Ajo bëri thirrje institucioneve të mos i lëndojnë më tej, pasi për shumë prej tyre, këto struktura ishin mundësia e vetme për të siguruar një të ardhme në zonën e thellë malore ku jetojnë.

“Shikojini fëmijët tanë sa të vegjël janë, ku të shkojmë me ta? Nuk kemi rrugë tjetër. Kemi 40 vite që punojmë për këtë familje. E kemi me mundim,” – përfundoi ajo mes emocioneve.

Edhe të rinjtë të përfshirë në situatë ndajnë të njëjtin shqetësim. Një 18-vjeçar, Stiven Koçiu, përfaqësues i një tjetër familjeje në Theth, u shpreh se aksioni i ka lënë pa shpresë dhe pa të ardhme.

“Kjo është një katastrofë për ne. E kemi ndërtuar me babën, në tokën tonë të trashëguar brez pas brezi. Këtu nuk ka asnjë pikë betoni! Nuk kuptoj pse duhet të prishet! Ne nuk kemi bërë pallate, kemi ngritur një strukturë për të jetuar. Shteti vjen dhe na njofton pasi gjithçka ka ndodhur. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të marrim valixhet e të ikim jashtë. Unë jam 18 vjeç dhe këtu e kisha ndërtuar ëndrrën time. Tani, ajo po na ikën para syve,” – tha ai.

Banorët theksojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet, por kërkojnë që zgjidhjet të mos jenë shkatërruese, por të udhëhiqen nga ndjeshmëria sociale.

Poll