AKTUALITET /

Aksioni pas zbardhjes së përgjimeve në SkyEcc, SPAK arreston pronarin e “Cinco Cavallit”

Burime bëjnë me dije se janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë.

Shkruar nga Versus
Aksioni pas zbardhjes së përgjimeve në SkyEcc, SPAK arreston
Foto: Ermir Ndreaj dhe biznesi i tij

Ermir Ndreaj është njëri prej të arrestuarve nga agjentët e BKH në kuadër të aksionit që është zhvilluar në disa qytete të vendit që prej mbrëmjes së djeshme. Mësohet se deri tani janë arrestuar 4 persona, mes të cilëve dy vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani.

Një tjetër person është arrestuar në Elbasan, por emri i tij ende nuk është bërë me dije.

Kush është Ermir Ndreaj

Biznesmeni është një emër i njohur si për median shqiptare ashtu edhe për atë ndërkombëtare pasi në Belgjikë emri i tij është lakuar mes lordëve të drogës. Ndreaj jeton në Tiranë, ndërsa rezulton të jetë biznesmen shumë i fuqishëm pasi ka në zotërim disa klube nate, restorant luksoz dhe një klinikë estetike.

Në rrethin e tij të bashkëpunëtorëve ai njihet si “Cinco”, pseudonym që e ka përdorur për t’i vënë emrin edhe klubit të natës “Cinco Cavalli” në Durrës. Një tjetër biznes që ai ka ngritur është edhe “Savoy Garden”, një nga restorantet më elegante në Tiranë, që frekuentohet nga persona publikë dhe kryesisht elitarë të vendit.

Restoranti ndodhet në kompleksin “Delijorgji”, aty ku një natë më parë zbarkuan agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në të njëjtën zonë, ndodhet edhe biznesi tjetër ‘Clinique Cinq’ që bashkë me reatorantin menaxhohet dhe administrohet nga partnerja e Ndreajt.

SPAK ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me rastin, por dyshohet se ka të bëjë me trafikun e drogës dhe disa përgjime të zbardhura në aplikacionin “SkyEcc”. Versus.al

Poll