
Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pritet të sillet sot në Shqipëri, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, që po zhvillohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Bëhet fjalë për shtetasin Durim Bamin, 47 vjeç, i cili pritet të ekstradohet nga Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, drejt Shqipëri.
Sipas autoriteteve, ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar që më 15 maj 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet për disa vepra penale të rënda, mes tyre sigurim kushtesh për kryerje vrasjeje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kultivim të bimëve narkotike dhe kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale.
Burime zyrtare bëjnë me dije se procedurat e ekstradimit janë drejt përfundimit dhe sapo i kërkuari të mbërrijë në vend, pritet një njoftim i plotë me detaje shtesë mbi operacionin dhe rolin e tij në aktivitetet e dyshuara kriminale.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median./Versus.al

