
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Portin e Durrësit, ku Policia e Kufirit ndaloi një automjet që transportonte pajisje elektronike të dyshuara për përgjim. Mjeti vinte nga Ancona dhe në të udhëtonin tre shtetas italianë, të cilët fillimisht prezantuan veten si punonjës të Guardia di Finanza.
Trageti mbërriti në port rreth orës 23:00 dhe ishte planifikuar të nisej përsëri drejt Italisë në orën 07:00 të mëngjesit. Gjatë kontrollit rutinë, autoritetet gjetën pajisjet elektronike brenda automjetit, duke ngritur dyshime mbi natyrën dhe qëllimin e tyre.
Pas verifikimeve, rezultoi se vetëm dy prej personave ishin realisht zyrtarë të Guardia di Finanza, ndërsa i treti nuk kishte lidhje me këtë strukturë italiane. Të tre u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje mbi pajisjet dhe qëllimin e futjes së tyre në Shqipëri.
Pajisjet e dyshuara u sekuestruan për ekspertizë të mëtejshme, ndërsa tre shtetasit italianë u lanë të lirë dhe u kthyen në Itali me të njëjtin traget. Ky vendim ka ngritur shumë pyetje, pasi nuk ka një shpjegim zyrtar për motivet e futjes së pajisjeve dhe përdoruesit e tyre të mundshëm.
Ngjarja mbetet e paqartë dhe institucionet ligjzbatuese pritet të japin sqarime mbi natyrën e këtyre pajisjeve, funksionimin e tyre dhe nëse ato janë përdorur për përgjime gjatë lëvizjes drejt territorit shqiptar. Hetimet vijojnë./Versus.al

