
Një email anonim që paralajmëronte për një sulm me bombë ka vënë në alarm autoritetet dhe ka ngritur në këmbë policinë mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Si pasojë, qendra tregtare Toptani Shopping Center, e vendosur në zemër të kryeqytetit, është evakuuar plotësisht. Klientët, punonjësit dhe të gjithë personat që ndodheshin brenda janë larguar menjëherë për arsye sigurie.
Aktualisht, në ambientet e qendrës ndodhen vetëm forcat e policisë, të cilat po kryejnë kontrolle të imtësishme me qen nuhatës për të verifikuar vërtetësinë e kërcënimit.
Sipas burimeve, alarmi është dhënë fillimisht nga shefi i sigurisë së qendrës tregtare, i cili ka marrë mesazhin kërcënues përmes emailit dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Deri në këto momente nuk raportohet për të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar autorin e mesazhit dhe për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një alarm real apo fals.

