
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi këtë të mërkurë të lërë në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në lidhje me shpalljen e kandidatëve fitues në qarkun e Durrësit.
Me këtë vendim, u rrëzua ankimimi i kandidates së Partisë Demokratike, Andia Ulliri.
Ulliri pretendonte se, bazuar në kuotën ligjore për përfaqësimin gjinor, mandati duhej t’i jepej asaj dhe jo Arjan Ndojës, i shpallur fitues nga KQZ.
Ajo argumentoi se, sipas rregullit që garanton përfshirjen e gjinisë më pak të përfaqësuar, duhej të ishte ajo që do të zëvendësonte kandidatin fitues.
Vendimi i KAS hyn në fuqi menjëherë, por ndaj tij mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
Palët do të marrin argumentet e plota të vendimit ditën e nesërme.
Avokati i Ullirit, Indrit Sefa, kritikoi interpretimin e Komisionerit Celibashi, duke sjellë në vëmendje nenin 64 të Kushtetutës, i cili kërkon që një në tre deputetë të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar.
Sipas tij, lista e kandidatëve është e vetme dhe përfshin si kandidatët me renditje të fiksuar, ashtu edhe ata që i nënshtrohen votimit parapëlqyes (me preferencë), prandaj përfaqësimi gjinor duhet të respektohet në shpërndarjen përfundimtare të mandateve./Versus.al







