
41 vjeçari Taulant Toma i dënuar me burgim deri në vitin 2041, për grabitje, është arratisur sërish nga burgu gjatë orëve të para të mëngjesit.
Toma konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, ka “karrierë” të pasur me ngjarje kriminale në Itali dhe shtete të tjera europiane. Ai arriti të dilte nga burgu i Opera-s në Milano, një institucion me siguri maksimale.
41 vjeçari preu me sharrë hekurat e qelisë dhe më pas zbriti jashtë, duke shfrytëzuar errësirën dhe ndoshta një moment të favorshëm gjatë ndryshimit të turneve të rojave. Një arratisje që duket e planifikuar me kujdes, e shpejtë dhe precize.
Ai nuk është i panjohur për arratisje spektakolare, aftësia e tij për të humbur gjurmët ka sfiduar policinë italiane dhe belge.
Në të kaluarën, ai ishte arratisur nga burgu i Parmës (po ashtu institucion me siguri maksimale) së bashku me bashkëkombësin Vamentin Frokaj, i cili më pas u vra gjatë një grabitjeje në vilë.
Frokaj, gjithashtu, kishte arritur të arratisej më parë nga burgu i Palermos. Taulant Toma ka qenë protagonist edhe i një arratisjeje të bujshme në Belgjikë, ku autoritetet europiane e konsiderojnë prej vitesh si një individ me rrezik të lartë.
Në historinë e tij kriminale, veçohet një episod i vitit 2013, që pati shkaktuar diskutime në prokuroritë italiane. Pas arratisjes nga burgu i Parmës, Taulant Toma ishte shpallur në kërkim. Policia italiane e kërkoi për dyzet ditë me radhë, duke përdorur ndjekje, udhëtime në qytete të tjera, përgjime telefonike dhe ambientale./Versus.al

