Pas kthimit pas nga Kroacia të tonelatave me domate, prokuroria e Beratit ka firmosur tre urdhër-arreste. Mësohet se gjatë operacionit nga operacioni i Seksioni Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në polici dhe Prokuroria e Beratit, administratori i një kompanie dhe dy inspektorë të AKU-së.
Pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera ka rezultuar se autoritetet Kroate kanë konstatuar dhe më pas asgjësuar një sasi prej rreth 8 ton domate e eksportuar nga subjekti “Era-Fruit”, me administrator Mariglen Qorrin, sasi kjo që pas analizave rezulton me nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.
Në lidhje me këtë sasi rezulton se Mariglen Qorri ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe këtë faturë e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat duke u munduar të shmangë kështu përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar. Kjo sasi domatesh, e rrezikshme për shëndetin e njerëve është prodhuar dhe eksportuar nga vetë Mariglen Qorri.
Hetimet kanë zbuluar se inspektorët e AKU-së në Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani pas njoftimit nga sistemi Rasff kanë kryer inspektim me datë 29.08.2025 në subjektin “Era Fruit” dhe gjatë këtij inspektimi nuk kanë konstatuar sasinë e domateve të gjendur në magazinën e subjektit duke plotësuar praktiken sikur në magazinë nuk kishte asnjë sasi domate.
Ata dyshohen se nuk kanë bërë bllokimin dhe marrjen e mostrave për kryerjen e analizave për këtë produkt. Këta inspektorë dyshohen se kanë marrë të mirëqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga shtetasi Mariglen Qorri, të pa firmosur nga fermeri/shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmueshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar kështu faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.
Gjithashtu u sekuestruan dhe u morën mostra për analiza të produkteve të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca të konstatuara ne subjektin “Era Fruit”, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.
Për sa më sipër u bë ndalimi i shtetasve:
Mariglen Maliq Qorri, i datelindjes 06.01.1985, Pronar i subjektit “Era fruit” si i dyshuar per veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 288, 288/c dhe 186 te K.Penal.
Ronaldo Agim Lika, i ditëlindjes 07.08.1998, inspektor për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Griselda Genci Doksani, e datëlindjes 05.12.2000, inspektore për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Materialet proceduriale i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Sllovenia ndaloi specat e kuq që mbërrinin në vend nga Shqipëria për shkak të nivelit të lartë të pesticideve të përdorura. Ky është i disati rast që produktet shqiptare kthehen nga autoritetet e vendeve të BE për shkak të mos-përmbushjes së kritereve të prodhimeve bujqësore. Versus.al







